Kodheli: Shifrat e bujqësisë, demagogji qesharake e qeverisë
Pas raportit 7-mujor të ministrisë së bujqësisë, i cili vë në pah arritjet e dukshme në zhvillimin ekonomik dhe bujqësor të Shqipërisë, PS ka akuzuar qeverinë për demagogji, duke i cilësuar shifrat e publikuara dje nga Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana si qesharake. Në fjalën e saj, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli tha se dështimet nuk mund të jenë arritje, duke akuzuar kështu si qeverinë ashtu edhe ministrinë për abuzime në lidhje me shifrat e publikuara.
Nga ana tjetër, PS akuzoi sërish qeverinë se nuk ka bërë asgjë në lidhje me çështjen e tokave bujqësore një problem ky që nuk ka gjetur zgjidhje në çdo udhëheqje politike
Reagimi i PS, vjen vetëm një ditë pas raportit të Ministrisë së Bujqësisë, ku ministri Gjana renditi me radhë arritjet dhe zhvillimin e bujqësisë. Ndërkaq, përsa i përket çështjes së shumëpërfolur të pronave, Gjana tha se pasi të përfundojë i gjithë drafti ligjor,dhe të mbyllen të gjitha udhëzimet e qeverisë, do të bëhet publike edhe mënyra dhe masa e dëmshpërblimit të ish-pronarëve.