E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Berisha po përdor administratën për fushatë

Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, akuzoi dje
qeverinë shqiptare për shpërdorime në administratën publike.
Xhufi u shpreh se javët e fundit është parë që nëpunës të
administratës publike, qoftë në qendër, qoftë asaj lokale, mësues apo
mjekë, janë depërtuar nëpër mitingjet e PD, nëpër mitingje të z.
Berisha, e znj. Topalli, dhe të instrumenteve të tjerë të partisë në
pushtet. "Kemi parë dhe konstatuar që nëpunës civilë marrin pjesë si
agjitatorë të partisë në pushtet në aktivitete të lidhura me fushatën
zgjedhore, për zgjedhjet e 28 qershorit", tha ai, duke shtuar se
dëshiron me këtë rast t‘i kujtojë z. Berisha, por dhe atyre nëpunësve
të zellshëm, agjitatorë, se me veprimtarinë e tyre janë në shkelje
flagrante të ligjit dhe për këtë sigurisht do të përgjigjen përpara
ligjit. "Do donim gjithashtu t‘u kujtonim atyre që administrata
publike dhe nëpunësit civilë janë aty për t‘u shërbyer njerëzve dhe
për t‘i shërbyer shtetit, pra janë aty për qëllime shumë më të larta,
se sa ç‘janë interesat e një partie, të partisë në pushtet, të PD-së",
deklaroi Xhufi.
Sakaq, duke bërë një bilanc të qeverisjes katërvjeçare të së djathtës,
numri dy i LSI-së vuri në dukje se marrëdhëniet me institucionet dhe
në veçanti marrëdhëniet me administratën publike kanë qenë një ndër
dështimet dhe një nga trashëgimitë më të rënda që qeveria Berisha do
t‘i lejë qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Ai
iu referuar raporteve të Bashkimit Evropian, të cilat e kanë
konsideruar raportin e qeverisë me administratën publike si thembrën e
Akilit të kësaj qeverie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›