Kodheli: Të dëmshpërblehen banorët e përmbytur
“Nëse nuk janë përgjegjësi e Berishës reshjet e shumta, përgjegjësia e tij është mos mbajtja nën kontroll e argjinaturave të mbrojtjes nga baticat detare dhe mbrojtja e hidrovoreve nga këto batica, sidomos hidrovori i Tales, i cili është i pambrojtur”, tha deputetja Mimi Kodheli. Ajo shtoi se Sali Berisha bashkë me Topallit të lërë teatrin, por të dëmshpërblejnë shqiptarët dhe të çojnë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj katastrofe. “Thirrja jonë për solidaritet të të gjithë shqiptarëve me gjendjen e krijuar është e përditshme. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri, të cilën qeveria aktuale nuk e ka. Kemi ngritur grupet e vullnetarëve, edhe nga biznesi, për t’u ardhur në ndihmë banorëve që sot iu kërcënohet jeta dhe investimi i shumë viteve”, tha më tej Kodheli.