E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria, ja sesi funksionojnë skanerët e trupit!

Këto skanerë janë instaluar në 19 aeroporte amerikane. TSA garanton se këto instrumente nuk e cenojnë intimitetin e udhëtarëve, nuk kërcënojnë shëndetin e tyre dhe janë të afta të identifikojnë me qartësi të gjitha armët metalike dhe ato jometalike që mund të mbahen në trupin e njeriut. Për më tepër, pasagjerët mund të zgjedhin nëse t'i nënshtrohen këtij kontrolli ose jo.

Kryesisht ekzistojnë dy lloje skanimi. Njëri bazohet në reflektimin e valëve radio me frekuencë shumë të lartë dhe tjetri në reflektimin e rezeve X me energji shumë të ulët.

Deri sot në aeroportet amerikane përdoren vetëm aparaturat me valë radio. Ky sistem përbëhet nga dy antena të cilat rrotullohen rreth trupit të njeriut, kur ky i fundit qëndron në një kabinë të mbyllur për rreth 40 sekonda, duke lëshuar vazhdimisht të njëjtën sasi energjie. Më pas dy detektorë të fiksuar regjistrojnë sasinë e energjisë që reflektohet. Informacionet e përcjella kodohen nga një program kompjuterik që rindërton imazhin.

Ndërsa sistemi me rreze X është në fakt i njëjti sistem që përdoret normalisht për radiografitë, por me ndryshimin se skanerët në aeroporte përdorin radioaktivitet me energji shumë të ulët, të afta për të tejkaluar vetëm teshat. Në fakt këto rreze kthehen mbrapa sapo arrijë në kufirin ndërmjet teshave dhe trupit të njeriut.

Agjencia amerikane i ka dhënë një rëndësi të veçantë ruajtjes së intimitetit të udhëtarëve që kontrollohen. Në fakt, oficeri i cili asiston pasagjerin gjatë kryerjes së kontrollit me skaner, nuk mund ta shohë imazhin që makineria prodhon. Imazhi transmetohet në një zyrë të posaçme të sigurimit ku kontrollohet nga një tjetër oficer, i cili nuk i sheh pasagjerët që i nënshtrohen kontrollit. Gjithashtu imazhi i fytyrës së pasagjerëve mbulohet automatikisht nga sistemi. Imazhi që rindërtohet është si negativi i një fotografie normale. Dy oficerët e sigurimit komunikojnë me anë të radios. Ndërsa të gjitha këto aparatura janë të programuara që mos të ruajnë, stampojnë ose transmetojnë asnjë imazh që rindërtohet gjatë kontrolleve. Oficerët të cilët kontrollojnë imazhet, nuk lejohen të mbajnë me vete asnjë aparat fotografik ose celular dhe çdo imazh fshihet automatikisht nga vetë sistemi, sapo të jetë kontrolluar.

Por edhe në kuadrin shëndetësor, agjencia amerikane garanton se nuk ka asnjë problem për t'u shqetësuar. Sipas TSA-së, energjia që prodhohet nga një skaner me valë radio është 10 herë më e vogël se ajo që transmetohet gjatë një telefonate me celular.

Ndërsa për teknologjinë me rreze X, një kontroll i vetëm me këto skanerë është i barabartë me dy minuta udhëtim me avion.                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›