Kodheli: Çmimet e larta, Berisha i varfëroi shqiptarët
12/03/2010 Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, reagoi dje lidhur me deklaratat e Kryeministrit Berisha për rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Kështu, duke iu referuar këtij momenti, Kodheli gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se “Kryeministri i Ruzhdies deklaroi se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë për sa kohë shqiptarët i japin atij votën, por Sali Berisha me një dorë të jep dhe me të dyja duart të merr”. Njëkohësisht, deputetja socialiste sqaroi lidhur me një qëndrim të tillë: “Rritja e pagave dhe pensioneve me 10% jo vetëm që është thuajse e pamundur të realizohet, pa dëmtuar edhe më tej ekuilibrat tashmë të cenuar rëndë, makroekonomikë të vendit, por ajo është edhe e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të familjeve shqiptare në këtë situatë të shtrenjtimit të gjithanshëm të jetesës për të cilën i detyrohemi zotit Berisha”, nënvizoi Kodheli. Sipas saj, edhe nëse rritja do të bëhet, nuk ka për të qenë e mjaftueshme për të mbuluar rritjen e inflacionit dhe rritjen galopante të çmimeve.