Kodheli:Të ulet TVSH-ja. Bode: Propozimet e PS, përçarje
Kuvendi i Shqipërisë nisi shqyrtimin nen për nen të projektbuxhetit të shtetit 2012. Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli ka kërkuar sot uljen e taksave për pagat e ulta.
Duke folur në seancën plenare, Kodheli theksoi se çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon ndërsa kërkoi që të ulet TVSH-ja për energjinë elektrike nga 20 përqind në 6 përqind. Ajo ka theksuar se përballë realitetit shqiptar buxheti nuk është realist siç e paraqet qeveria.
“Monopolet vazhdojnë të mbizotërojnë në treg, çmimet e shtrenjtuara, kriza ka prekur çdo familje që vijon të taksohet rëndë. Çmimi i energjisë, çmimi i ilaçeve janë të papërballueshme” theksoi Kodheli.
Kodheli gjithashtu kërkoi që personat me të ardhura të pakta të paguajnë më pak taksa ndërsa theksoi se duhet të paguajnë më tepër ata të cilët kanë të ardhura më të larta.
“Ne ju ftojmë të reflektoni mbi propozimet tona, pasi ky duhet të jetë buxheti i njerëzve për njerëzit”- tha Kodheli.
Menjëherë ka reaguar Ministri i Financave, Ridvan Bode i cili i quajti “të përçartura” propozimet e opozitës për buxhetin e vitit 2012.
“Propozimet tuaja nuk kanë asnjë sens, janë përçartje, janë demagogji. Ashtu si në seancën kur e kemi diskutuar në parim, edhe sot po dëgjojmë të njëtën këngë, etjen e shfrenuar për të bërë demagogji" ka theksuar Bode.
Sipas ministrit të financave, sfida është ekonomia reale, është rikthimi në ritmet e rritjes së saj në kuotën e 6 përqindëshit.
Bode kundërshtoi edhe propozimin e PS-së për heqjen e TVSH së energjisë elektrike ndërsa e cilësoi propozimin e opozitës si përrallë heqja e saj nuk të thotë që ulet çmimi. "Taksimi progresiv që ju propozoni, do të thotë që ju kërkoni ta ktheni vendin aty ku e latë ju, doni të hapni tregun e evazionit”, shtoi më tej Bode.
Më pas Kuvendi hodhi poshtë me 71 vota kundra dhe 49 pro propozimet e Partisë Socialiste për uljen e taksave për pagat e ulta.