E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk kemi të ardhme me Berishën e shpurën e tij

Kryetari i PS-së vijoi dje takimet. Në qendër të vëmendjes, prodhimi bujqësor dhe blektoralDIBËR- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar dje takimet në fshatrat Kala e Dodës, Sllovë e Muhurr për të njohur dhe gjetur zgjidhje për një nga sektorët më me rëndësi në vend, siç është bujqësia dhe zhvillimi rural. Gjatë këtyre takimeve, kryetari socialist, në bashkëbisedim me banorët e fshatrave ka vënë theksin tek mungesa e punës në bujqësi e blegtori, duke nënvizuar se e vetmja mënyrë për mbijetesë në këto fshatra mbetet emigrimi jashtë kufijve. "Prodhimi bujqësor dhe blegtoral, nuk është një çështje familjare, por është një çështje kombëtare. Shqipëria sot duhet ta kthejë vështrimin e saj nga fshati, nga bujqësia dhe blegtoria. Por, si mund ta kthejë vështrimin, nëse politika nuk e ka fare në listë bujkun, nuk e ka fare në listë çështjen e ushqimit?! Edhe këtu ju, pavarësisht se mund të punoni dhe rropateni gjithë ditën, në fund të ditës nuk i keni mundësitë të jetoni ashtu si duhet me prodhimin tuaj, sepse nuk e shisni dot, ngaqë nuk ka treg dhe nuk arrini dot të mbuloni nevojën për ushqim të fëmijëve. Si mund të zgjidhen këto gjëra, përveçse me politikë dhe është politika që duhet t'i zgjidhë”,- tha dje Rama gjatë takimit. Kryetari i PS-së theksoi se politika prej vitesh çon deri në fshatin më të largët, arsyet pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë, të përçarë në emër të një partie apo tjetre, ndërkohë që PS-ja kërkon që në çdo fshat të shkojë zëri i bashkimit dhe shpresës. “Dua që t'ua them qartë, se nëse duam vërtetë që t'ju japim fëmijëve një të ardhme, shkollën që meritojnë, punën që nesër do të duhen të kenë për të jetuar si qytetarë të Europës së Bashkuar. Ne duhet të bashkohemi dhe t'i lëmë pas politikanët e vjetër, që na sjellin vetëm arsyet për t'u ndarë. Ta lëmë pas Sali Berishën me gjithë shpurën e tij, sepse nuk kemi të ardhme me ta. Dhe kjo, jo sepse janë demokratë, por sepse janë aty vetëm për interesat e tyre për pushtet, dhe që bien ndesh me interesat e socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, gjithë qytetarëve që sot gjenden pa shtet”,- tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›