Roza, historia e një gruaje pa emrin e vajzërisë
Çdo herë që vjen Krishtlindja, mua më kujtohet Roza a Ruzha Kakarriqi, historinë e së cilës desha ta ndaj me lexuesit. Kam qenë ndoshta 4 a 5 vjeç kur në shtëpinë tonë erdhi për herë të parë një qënie mitike, veshur me rrobat përrallore të një njeriu që ka ardhur nga ca botëra tjera, me një zile në dorë, e me shumë e shumë dhurata për ne, fëmijët…Tha se sapo kishte zbritur nga qiejt, dhe, po të ishe fëmijë, siç isha unë asokohe, nuk kishe se si të mos i besoje… Që asaj kohe, çdo natë Krishtlindjeje më është zakon që të pres për t’mu shfaqur ajo qënia e mirë mitike, me dhurata në një shportë dhe me një zile të vockël në dorë.
Disa vite më vonë nëna ime më pat treguar se qënia mitike e asaj nate të Krishtlindjeve kishte qënë Roza a Ruzha, mikja e saj gjermane. Të dyja, ime amë në Shkodër dhe Roza në Mynih kishin pasë lindur në të njëtën ditë, muaj dhe vit, dhe po ashtu ishin martuar në të njëtën ditë, muaj dhe vit. Një koinçidencë që i kish bërë të dyja që të ndjeheshin shumë të afërta me njëra-tjetrën. Të dyja, me kursimet e bëra gjatë vitit, blinin dhuratat për ne fëmijët, që t’na i jepnin Natën e Krishtlindjeve. Roza vishte ato rrobat fantastike, që e kthenin në një qënie mitike të zbritur nga qiejt, dhe ne fëmijët jetonim ditët më të mira të jetës tonë.
Me kalimin e viteve mësova historinë e Rozës, historinë se si një grua gjermane, bjonde, e bukur, e çuditshme, krejt ndryshe, jetonte në një qytet me ne. Familja e Rozës kishte lëvizur nga Bavaria në Kroaci, në atë pjesë të Kroacisë ku jetojnë bashkë kroatë, serbë, gjermanë, hungarezë, shqiptarë, hebrej. Në vitin e fundit të gjimnazit, me klasën e saj bën vizitën e parë në SHBA. Gjatë udhëtimit, në avulloren që shkon për në Nju Jork, ndodhet dhe një pasagjer me emrin Claudio Arran, pianist. Pianisti bie në dashuri keqas me Rozën, dhe gjatë gjithë udhëtimit luan piano për t’i tërhequr vëmendjen. Ajo, e re, e bukur, e mençur, për një trill të fatit, e refuzon dorën e pianistit. Shumë vite më vonë do të mësojë se Claudio Arran, pianist kilian me banim në Gjermani, e me vonë në Nju Jork, do të konsiderohej pianisti më i madh i të gjitha kohërave pas Liszt-it. Sapo kthehet nga Nju Jorku, bën një tjetër vizitë në qytetin e Dubrovnikut, ku dhe rastësisht takon një djalosh shkodran, Ferdinand Kakarriqin, kampion i kanoes në Kroaci, basketbollist i talentuar dhe pinjoll i një prej familjeve më të njohura të Shkodrës. Ferdinandi është gjatosh, elegant, sportiv dhe tepër tërheqës. Ka natyrën e një njeriu të mirë, gazmor, fisnik, aventurier, guximtar dhe shoqëror. Shqiptari e kishte bërë përnjëherë për vete gjermanen dinjitoze. Këtë rralë ishte ajo që binte marrëzisht në dashuri.Vendosën të jetonin në Dubrovnik, në shtëpinë e Kakarriqëve, një shtëpi dominuese në qytetin kroat.
Jemi andej nga viti 1943. Së bashku me Ferdinandin bëjnë një vizitë në Berlin, tek e motra e Rozës. Pas dy muajsh, tek kthehen në Dubrovnik, e gjejnë shtëpinë të kthyer në gërmadhë gjatë bombardimit të qytetit. Vendosën përkohësisht në shtëpinë e prindërve të Rozës. Më vonë Ferdinandi ngul këmbë që të shkojnë në vendin më të sigurt në të gjithë Evropën, në Shqipëri, në Shkodër. Nëqoftëse qytetet e Evropës digjeshin, shtetet përgjakeshin, ishte një vend larg nga lufta dhe marrëzitë e saj, dhe ky vend ishte Shqipëria. Me këtë ëndërr vijnë dhe vendosen në Shkodër, në shtëpinë e madhe të Kakarriqëve, që kishte dhe kopshtin më të pasur me trëndafila në të gjithë Ballkanin. Mendohej se një i afërm i Ferdinandit, sa herë herë që kthehej nga udhëtimet e tij nëpër botë, sillte lule për t’i mbjellë në kopsht. Ai madje kishte sjellë nga Rusia dhe një pikturë të Rembrandit, që ruhej në shtëpinë e tyre. Flitej se pinjolli i familjes kishte takuar rastësisht Leninin në Shën Peterburg, dhe Rembrandi ishte blerë me monedha ari direkt nga Ermintazhi me porosinë personale të Leninit, i cili, me prakticitetin e një revolucionari pragmatist, mendonte se gjatë viteve të Urisë së madhe, monedhat e arit do ta ndihmojnë revolucionin më shumë nga Rembrandi… Rozës i mjaftonte përkujdesja për lulet që të ndjehej në parajsë…Por nuk kaluan shumë ditë që Roza dhe Ferdinandi të përziheshin brutalisht nga Parajsa.
Vendosja e komunistëve në pushtet sjell dhe rrokopajën e Rozës dhe të Ferdinandit. Ky i fundit jo vetëm që është biri i një familjeje të pasur, por ka patur paturpësinë që t’i shfaq haptazi simpatitë për nazizmin, duke u martuar me një gjermane. Internohen në Lezhë. Nuk vonon dhe arrestohet duke u akuzuar se ka përdorur një radio të zakonshme shtëpie si radio marrie-dhënëse për të komunikuar me agjenturat e huaja. Dënohet si agjent, si spiun gjerman, si borgjez dhe si bashkëpunëtor i imperializmit botëror. Nuk kanë fëmijë. Roza ka shtetësi gjermane. E motra i shkruan nga Berlini që të kthehet në Gjermani. I thotë se ka biseduar dhe me Qendrën e Kryqit të Kuq në Zvicër dhe çdo gjë është në përfundim. Duhet vetëm një kërkesë e saj me shkrim. Por Roza ka një plan tjetër: është e vendosur që të presë derisa Ferdinandi të lirohet nga burgu. 35 vjet pritje. 15 vjet më shumë nga Penelopa e Odisesë.
Roza bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetit të vogël provincial. E mbaj mend në tregun e së dielës: njerëzit blinin pula, rosa, pata, duke i mbajtur të gjalla, nga këmbët të lidhura, me kokën poshtë. Dhe Roza i ndalte blerësit e panjohur, dhe u thoshte: Të lutem, a mundesh ta mbash kafshën e gjorë me kokën lartë, që të mos torturohet? Njerëzit e shihnin të çuditur këtë grua të çmendur që gjente kohë për t’ua qarë hallin kafshëve, por ngase ishte e huaj, bënin pikërisht ashtu siç u thoshte ajo, e kthenin pulën, rosën, patën me kokën lart. Të paktën për disa metra, derisa sa Roza të mos i shihte. Ajo filloi të fliste me pemët, me lulet. Ndalej dhe i thoshte një trandafili buzë rruge: Shiko sa i bukur që qënke! Dhe nuk e çan kokën për asgjë në këtë botë. Zemërohej me fëmijët që këpusnin degët e pemëve, a lulet. Sepse i konsideronte qënie të gjalla…
Për të mposhtur vetminë, vendos të adaptojë një fëmijë në Bafotrof. Shumë vite më vonë më ka treguar se si pat shkuar në shtëpinë e fëmijëve, dhe, tek ecte përmes rrjeshtit të shtretërve, kish ndjerë se si një foshnjë e shikonte me aq forcë, me aq këmbëngulje, sa e kish ndjerë fizikisht pas kurrizit shikimin e saj. U kthue dhe pa foshnjën që tashmë kish zgjatur krahët drejt saj. E merr në krahët e saj. Foshnja u quajt Adela. Shumë e shumë vite më pas, do të marr vesh një ironi tjetër të fatit: Adela, foshnja e adaptuar për të cilën gjermania do të kujdesej gjithë jetën e saj, një ëngjëll i pafajshëm, është fëmija i paligjshëm i njërit prej Presidentëve të rradhës në Shqipërinë e viteve pas 1990!
Rozës i duhet të mbijetojë. I japin të drejtën që të punojë në Fermën e qytetit. Pasi punon 12 orë në ditë, i japin 20 lekë të vjetra. Aq sa të blejë gjysmë buke në ditë. Mëma ime dhe shumë njerëz të tjerë e ftojnë fshehurazi në shtëpitë e tyre. Dhe mua më kujtohet se sa e kujdesshme ishte Roza që të mos i fuste në siklet njerëzit që e donin. Sepse e dinte se edhe një përshëndetje me kokë në adresën e saj do interpretohej si simpati për armikun e klasës. E shmangte shikimin nga njerëzit qëdonin ta përshëndetnin, u shmangej njerëzve që donin të ndaleshin e të flisnin me të. Më ka treguar se mes njerëzve që e ndihmonin fshehurazi kishte dhe komunistë. P.sh.një grua nga Ishulli i Lezhës, sekretare Partie, të cilën Roza e pat bindur që të shkojnë fshehurazi së bashku në Kishën e Laçit. Roza për t’u lutur për Ferdinandin, dhe sekretarja e Partisë për t’iu lutur Shna Ndout që të bëhej nënë…Rrallë herë shkon në Tiranë, sa për të marrë fshehurazi ndonjë libër gjermanisht nga një mik i saj që quhej Robert Shvarc…Udhëtimet e tjera i bën në karrocerinë e kamionëve që transportojnë zhavorr. Janë makinat e vetme që ndihmojnë të afërmit e të burgosurve për të vizituar njerëzit e tyre në burgjet e Spaçit a të Burrelit. Dhe kështu kalonin vitet, ditët, orët, minutat dhe sekondat.
Në vitin 1990 shkova për t’i bërë një vizitë Rozës, ngase më treguan se Ferdinandi ish liruar nga burgu. I gjeta të dy, dhe ishte ndër pamjet më prekëse që kam parë në jeten time. Ishte pamja e një çifti adoleshentësh të dashuruar për herë të parë. Ferdinandi, shpërblimi i pritjes së saj 30-vjeçare, ishte një skelet i vërtetë njerëzor. Por Roza ishte gruaja më e lumtur që kam parë në jeten time. Të kapur shtërngueshëm për duarsh, sikur të kishin frikë se do t’i ndanin nga njëri-tjetriprapë. Me sytë që u shkëlqenin nga lumturia. Ferdinandi më tregoi se si kishin dashur ta vrisnin, jo në burgun e Spaçit, por në një nga dhomat e Hotelit Tirana, 15-katëshit, në qendër të Tiranës. Në vitin 1990. Sigurimi i Shtetit e kishte intervistuar disa ditë pasi ishte liruar nga burgu, në Hotel Tirana. Hetuesit, djem të rinj, me siguri me karrierë të lavdishme në ditët e sotme, avokatë a gjykatës të lartë, e kishin kërcënuar se do ta hidhnin nga kati i dymbëdhjetë. Pastaj e kishin kërcënuar me revolver se do ta vrisnin. E kishin rrahur, atë, një plak 75-vjeçar, duke i thënë se do t’i kishte pas gjithë jetën. Pas kësaj kishin vendosur të iknin njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Ndoshta ky kishte qënë dhe qëllimi i kërcënimit të fundit: ta detyronin që ta linte Shqipërinë. Sa më pak dëshmitarë si ai, aq më mirë. Me Rozën kishin vendosur të shkonin në Kroaci, në Zagreb. Dhe kështu bënë.
Kam biseduar me ta në telefon gjatë gjithë këtyre viteve. Roza ndihmonte shqiptarët kudo që i ndeshte. Në televizionin kombëtar kroat pat dhënë një intervistë prekëse rreth jetës së saj, aq sa shumë dëgjues merrnin direkt studion në telefon për ta përshëndetur. Njerëzve u bënte përshtypje se si kjo grua që kish kaluar përmes ferrit, fliste fjalë të mira për shqiptarët. Si, edhe pse jeta jote është rrënuar ne Shqipëri? E gjithë jeta jote, fillim e mbarim?
Në Zagreb, një grup grashë kroate zgjidhen për të marrë pjesë në një audiencëspeciale me Papën Gjon Pali II. Më tregon Roza: ishim 20 gra gjithesej. Zonjat nga Zagrebi ishin veshur sikur të shkonin në një ballo nga ato që përshkruan Tolstoj. Papa na priti në dhomën e tij private. Filloi të thoshte se sa e rëndësishme është që të falim. Dhe zonjat e Zagrebit, që nuk kishin vuajtur kurrë në jetën e tyre, tundnin kokat duke pohuar, po, po, të falim. Veç unë nuk pohoja, as me krye e as me fjalë. Derisa shikimi im u kryqëzua me shikimin e Papes. Dhe ai e kuptoi përnjëherë se çfarë thoshte shikimi im: ti e ke të lehtë t’u flasësh këtyre grave për faljen, sepse ato nuk kanë kaluar përmes ferrit ku kam kaluar unë…Në mbarim të audiences, tek po dilinim, Papa më ndali veçmas e më tha: Falja i përket fitimtarëve të shpirtit.
Në vitin 2004 një telefonatë nga Zagrebi më njofton se Feridandi vdiq. Ishte Roza që qante me denesë ne telefon. Po atë vit, vendosëm që të shkojmë për pushime në Kroaci, që të takonim Rozën. Ajo erdhi me tren nga Zagrebi në Fiume (Rjeka). I kisha thënë të më priste në stacionin e trenit. E gjeta tek bisedonte me një grua. Sapo më pa, filloi të qante. Nuk jam e përgaditur të vdes, më tha. Kam aq shumë dëshirë të jetoj.
Në Medulin, pranë Pulës, kishim vilën ku do qëndronim. Fëmijët tanë u mrekulluan me Rozën, po aq sa ç’isha mrekulluar dhe unë në moshën e tyre kur e kisha takuar për herë të parë. Në ditën e nesërme bëmë një udhëtim me varkë, duke qarkuar ishujt e Brionit. Bashkë me ne ishin dhe dy çifte austriakësh. Një burrë dhe një grua, të sapomartuar, vështronin kohë pas kohe njëri-tjetrin. Në mbrëmje Roza më tha: Ti kujton se ishujt e Brionit më mrekulluan? Ajo që më mrekulloi më shumë se ishujt qe vështrimi gjithë dashuri i atij çiftit austriak! O zot, sa shumë dashuri që kishte në shikimet e tyre.
Kur u ndamë, e dinim të dy se ishte hera e fundit që shiheshim. Në stacionin e Fiumes, tek ndaheshim, më tha prapë: Më vjen keq që nuk jam e përgaditur të vdes.
Disa ditë më vonë, në Londër, mora një kartolinë nga Roza. Kartolina tregon një ishull të vockël, që qarkohet i gjithi nga një shkemb i vetëm. Roza më shkruan: Ky shkëmb nuk po e çaka kryet as për diellin, e as për ernat, as për detin e as për njerëzit! Ishin fjalët e fundit që do lexoja nga Roza.
As dhe një muaj më vonë, një leter tjetër që vjen nga Shqipëria më thotë se Roza vdiq. Letrën e shkruan Adela, vajza e saj e adaptuar, një ëngjëll i vërtetë. Më falenderon që e kam dashur der në ditët e fundit. Kurse unë kujtohem se asnjeherë nuk e kam ditur mbiemrin e saj të vajzerisë!