E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Nuk u konsultuam për ligjin e dosjeve

Tiranë-Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Robert Bosh ka shprehur sot qendrimin e tij lidhur me ligjin shumë të përfolur të pastërtisë së figurave. Ai tha se hartuesit e tij nuk janë konsultuar me OSBE/ODHIR për ligjin edhe pse jane organe të specializuara.

Bosh shprehu të njëjtin qendrim si Ambasada Amerikane, se ligji duhet të ketë një diskutim gjithëpërfshirës përpara se të dërgohet për miratim. Gjatë një takimi në Durrës, ai tha se në këtë draft ka disa nene që janë antikushtetuese, dhe se nuk duhen kaluar pa u ndryshuar.

Ligji për pastëritinë e figurave ose siç njihet ndryshe ligji për “spiunët” ka ngjallur një debat të fortë të forcave të mëdha politike në vend. Opozita është kundër tij, pasi sipas saj, ky ligj është antikushtetues dhe për më tepër dërgohet në Kuvend me urgjencë për të larguar nga detyra prokurorët që po hetojnë ngjarjet e bujshme në vend. Opozita është shprehur e vendosur për ta paditur në Kushtetuese nëse ligji miratohet nga Parlamenti.

Ka patur debate të gjata ditën e hënë për këtë ligji, diskutime që zgjatën deri në mesnatë në Kuvend. Më në fund mazhorancë e vetme në sallë, pasi opozita e braktisi atë vendosi ta shtyjë miratimin e ligjit për të hënën e javës së ardhshme. Ndërsa dje është shprehur edhe Ambasada Amerikane, duke deklaruar se ligji kërkon debat konstruktiv dhe standarde ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›