Ish-kryeministri maqedonas dënohet për korrupsion
Ish-kryeministri i Maqedonisë është dënuar për korrupsion nga një gjykatë vendase bashkë me një nga ish-krerët e ushtrisë. Tri vjet e gjysmë burg iu shqiptua ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ish-kryeministër Vllado Buçkovskit, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Dënim të njëjtë me burg fitoi edhe ish-kryeshefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, Metodi Stamboliski. Tri personat e tjerë në rastin me furnizimin e pjesëve rezervë për tanket ushtarake, Aco Gjurçevski, Nelko Menkinovski dhe Mitre Petkovski fituan nga tri vjet burg. "Vendimi, i shprehur në mënyrën më të butë, është skandaloz. Ne betejën juridike e fituam në seancën gjyqësore… Gjatë 13 muajve të kaluara në tërësi dëshmuam se unë dhe të akuzuarit e tjerë jemi të pafajshëm. Por si duket, korrektësia e gjykatëses u shkel gjatë disa ditëve të fundit", deklaroi Vllado Buçkovski. Ai shprehu keqardhje se shteti lëshoi shans të mirë që të dëshmojë se gjyqësia është e pavarur. "Ky vendim gjyqësor dëshmoi se aktgjykimet merren jashtë gjyqit", deklaroi Buçkovski pas shqiptimit të aktgjykimeve. Edhe ish-kryeshefi i Shtatmadhorisë, Metodi Stamboliski, tha se aktgjykimi është marrë jashtë gjyqit. "Kjo është vetëm edhe një dëshmi se sa është i pavarur gjyqi dhe sa ndikon politika mbi të. Prej përpara dihej se ky vendim do të jetë i tillë, megjithatë shpresoj se ekzistojnë instanca të tjera në të cilat do të dëshmojmë se kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë në të drejtë", tha Stamboliski. Ndërkaq, dy personat e tjerë të akuzuar për rastin "Pjesët rezervë të tankeve", fituan dënime me burg në kohëzgjatje prej tri viteve. Katër personat, prokuroria i fajësonte se me pjesët rezervë që i furnizuan për tanket ushtarake kanë dëmtuar buxhetin me mbi 2.4 milionë euro.