E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, fushat ku ka dështuar qeveria

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore mbeten edhe për vitin 2008 tre fushat ku qeveria shqiptare vlerësohet me nota negative nga Bashkimi Evropian.

TIRANË- Korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore mbeten edhe për vitin 2008 tre fushat ku qeveria shqiptare vlerësohet me nota negative nga Bashkimi Evropian. Vlerësimi negativ për këto fusha jepet në progres-raportin e Komisionit Evropian për rezultatet e punës së qeverisë shqiptare për vitin që po lëmë pas, i cili pasi i është dorëzuar dje krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, është bërë publik edhe për mediat nga ambasadori Helmut Lohan në një konferencë të posaçme për shtyp.

Korrupsioni

Komisioni Evropian megjithëse ka ndryshuar mënyrën e të shprehurit bënë pothuajse të njëjtin vlerësim si edhe një vit më parë në lidhje me rezultatet e punës së qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Kështu, ndërsa për 2007 korrupsioni vlerësohej në raport si një “problem shumë serioz” këtë vit ai konsiderohet si një “problem veçanërisht serioz”. Pra ky fenomen, pavarësisht arritjeve të probaganduara në vazhdimësi nga qeveria jonë, mbetet ende një shqetësim real për ndërkombëtarët. Për të mbetur tek korrupsioni, raporti evidenton se bashkëpunimi ndër-institucional dhe koordinimi i agjencive të ndryshme të luftës kundër korrupsionit lë shumë të për të dëshiruar. “Pak është bërë për kufizimin e mundësive për korrupsion në çështje si administrimin e taksave, shërbimin e biznesit, shpërblimin e duhur dhe sigurimin publik, përmes futjes në përdorim të sistemit elektronik”, - thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Pastrimi i parave

Një tjetër fushë ku puna e qeverisë merr “notë mbetëse” është edhe ekonomia informale dhe pastrimi i parave nëpërmjet aktiviteteve në dukje të ligjshme. Në këtë drejtim, raporti vlerëson se “Progres i limituar është bërë në lidhje me luftën për larjen e parave, që vazhdon të jetë një problem i madh. Ekonomia Shqiptare, veçanërisht sektori privat, ka një treg bazuar në cash. Në termat e mekanizmave për të kontrolluar transaksionet në cash nuk ka asnjë strategji në lidhje me këtë”, - shkruhet në raport. Gjithashtu në të theksohet se ligji për larjen e parave dhe financimin e terrorizmit, megjithëse është adoptuar në maj të 2008-s, implementimi i tij ka mbetur pezull.

Trafiqet e paligjshme

Drogat

Një problem serioz për Shqipërinë edhe për vitin 2007 ka qenë pamjaftueshmëria e luftës së qeverisë për goditjen e trafiqeve të ndryshme, kryesisht ato që kanë të bëjnë me drogat, dhe qeniet njerëzore. Raporti thekson se sa i përket luftës kundër drogës “ka pasur progrese të limituar dhe se trafiku i drogës mbetet një çështje serioze”. Progres i limituar raportohet në luftën kundër krimit të organizuar i cili është dhe çelësi i prioritetit të Partnershipit Europian. “Strategjia kombëtare për luftën kundër krimit të organizuar ishte adoptuar në korrik 2008 por mbetet për tu implementuar. Krimi i organizuar vazhdon të mbetet një problem serioz në Shqipëri. Shqipëria vazhdon të jetë burim për trafikimin e njerëzve, veçanërisht të grave dhe vajzave për shfrytëzim seksual. Fëmijët gjithashtu trafikohendhe përdoren për kryerjen e punëve të ndryshme. Përafërsisht gjysma e viktimave shqiptare të trafikuar janë nën 18 vjeç. Trafikimi i grave dhe fëmijëve është në rritje veçanërisht në minoritetin Romë”, thuhet në raport.

Emigrimi i paligjshëm

Një tjetër konstatim negativ që bënë progres raporti është edhe ai për luftimin e emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve. Kështu, edhe në këtë fushë puna e qeverisë ka marrë vlerësime jo pozitive, kur thuhet se “emigrimi ilegal mbetet ende problematik, veçanërisht në kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë në periudhën e kërkesës për punë sezonale. Këto kufij janë pikat e hyrjes më kritike për emigrantët ilegal nga Shqipëria për në Europë. Në tetë muajt e parë të 2008-s numri i personave të kapur në kufi ishte 9,382 në krahasim me 5,955 që ishte në 2007”. Progres raporti evidenton gjithashtu edhe problemin që lidhet me pavarësinë e institucioneve dhe përpjekjet e qeverisë për ti dominuar, duke prurë këtu si shembull rastin e konfliktit midis institucionit të presidentit dhe ekzekutivit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Komisioneri për zgjerimin nuk jep garanci për kohën se kur mund të arrihet liberalizimi i vizave

Rehn: Plotësoni kushte që të keni viza

TIRANË- Bashkimi Evropian nuk jep asnjë garanci për liberalizimin e plotë të procesit të vizave gjatë vitit 2009. Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian Olli Rehn duke prezantuar progres-raportet dhe rezultatet e zhvillimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane nuk ka pranuar të japë garanci për kohën se kur mund të arrihet liberalizimi i vizave për shqiptarët. Finalizimi i këtij procesi, sipas tij, është në dorë të vet shqiptarëve, të cilët duhet të arrijnë të plotësojnë kushtet që lindin nga marrëveshja e stabilizim-asociimit. Kusht për këtë, sipas Komisionerit Evropian për Zgjerimin, është zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhepërforcimi i kapaciteteve administrative në vend në të gjitha fushat. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë probleme serioze megjithë përmirësimin e perceptimit të publikut që e cekim në raport. Paqartësia në lidhje me të drejtën e pronës, sëbashku me infrastrukturën e varfër, me ndërprerjet e furnizimit me energji, janë pengesa për zhvillimin e ekonomisë dhe për një klimë biznesi më të favorshme. Por do të thosha se gota është të paktën gjysmë e mbushur dhe jo gjysmë e zbrazur” - tha Rehn. Ndërkohë duke u ndalur tek vendet e tjera të rajonit për të cilat është hartuar një raport i ngjashëm me atë që është bërë publike dje edhe për Shqipërinë, Rehn ka theksuar se Kosova do të duhet të garantojë angazhimin për një shoqëri demokratike dhe shumëetnike, ndërsa BE-ja do të mbështesë progresin ekonomik dhe atë politik drejt BE-së. “Kosova do të mbetet një pikë kyçe për vitin 2009. Kosova duhet të garantojë angazhimin për një shoqëri demokratike dhe shumë-etnike. BE-ja angazhohet të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik, si dhe progresin e saj drejt BE-së si pjesë e Ballkanit Perëndimor”- tha Rehn. Ndërkohë që për Maqedoninë, sipas këtij raporti ka shënuar progres të mirë në reformën e gjyqësorit dhe zbatimin e detyrime të MSA-së, megjithatë, vendi duhet të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të përmirësojë dialogun midis partive dhe aktorëve kryesorë.

Pikat kryesore të raportit

Marrëdhëniet midis parlamentit dhe Presidentit u vështirësuan disa herë. Ky proces shtroi çështjen rreth pavarësisë së institucioneve të shtetit nga ekzekutivi.

Përgjithësisht administrata publike po vazhdon të stabilizohet por transparenca dhe përgjegjësia në çështjet e ndryshme është duke rrezikuar pavarësinë e saj. Progres nevojitet të arrihet në pavarësinë, bazën e meritave, dhe shërbimit civil profesional.

Ajo që nevojitet tani është të adoptohet një strategji të mirëkuptuar përreformën në drejtësi, të plotësohet sistemi ligjor dhe të sigurohen burimet humane dhe financiare për implementimin.

Pak është bërë për kufizimin e mundësive për korrupsion në çështje si administrimin e taksave, shërbimin e biznesit, shpërblimin e duhur dhe sigurimin publik, përmes futjes në përdorim të sistemit elektronik.

Emigrimit ilegal mbetet ende problematik, veçanërisht në kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë në periudhën e kërkesës për punë sezonale.

Progres i limituar është bërë në lidhje me luftën për larjen e parave, që vazhdon të jetë një problem i madhe.

Ka pasur progres të limituar në luftën kundër drogës, por trafiku i drogës mbetet një çështje serioze.

Progres i limituar raportohet në luftën kundër krimit të organizuar i cili është dhe çelësi i prioritetit të Partnershipit Europian. Krimi i organizuar vazhdon të mbetet një problem serioz në Shqipëri.

Shqipëria vazhdon të jetë burim për trafikimin e njerëzve, veçanërisht të grave dhe vajzave për shfrytëzim seksual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›