Kodi Penal dënon edhe prindërit shfrytëzues
Ligjet shqiptare dënojnë ashpër jo vetëm shfrytëzuesit e të miturve, por edhe prindërit e tyre nëse vërtetohet një veprim i tillë. Megjithatë, deri më sot, strategjia për largimin e të miturve nga rrugët, apo mbrojtja e tyre nuk ka qenë aq eficiente. Pavarësisht disa aksioneve të ndërprera të policisë, qoftë në kryeqytet, apo edhe në qytete të tjera të vendit, nuk ka pasur një program të vazhdueshëm për mbrojtjen e kësaj shtrese kaq delikate. Sipas Kodit Penal, shfrytëzimi i fëmijëve të mitur për punë apo shërbime të detyruara, përfshirë edhe kërkesën për lëmoshë nga prindërit apo kujdestarët ligjorë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në një vit dhe me gjobë të përcaktuar. Kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur bëhet nga të tretët dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me një gjobë më të madhe. Nga të dhënat, të pakonfirmuara zyrtarisht, pasi nuk ka shifra ekzakte, rreth 800 persona midis tyre gra dhe fëmijë shfrytëzohen si lypsa në rrugët e kryeqytetit nga persona, që për punonjësit e policisë janë shumë të lehtë për t‘u identifikuar dhe arrestuar. Gjithashtu, nga të dhënat mësohet se këta fëmijë bien edhe pre e trafikut për motive nga më të ndryshmet. Vetëm gjatë vitit të kaluar mendohet se janë trafikuar rreth 32 fëmijë. Për ta është dokumentuar se janë dërguar në Greqi nga persona të ndryshëm dhe që kanë nisur hetimet apo procedimet penale.
B. G.