E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata i heq të drejtën, babai rrëmben fëmijën

Një baba nuk e ka duruar vendimin e gjykatës, e cila i ka hequr të drejtën e mbajtjes së fëmijës, duke e rrëmbyer atë dhe duke u zhdukur që prej disa ditësh. Ngjarja ka ndodhur në mes të Tiranës, kur babai i ri, vetëm 23 vjeç, ka takuar rrugës vjehrrën, që mbante fëmijën e tij 3-vjeçar. Në atë moment, ia ka marrë fëmijën me forcë dhe është larguar. Gruaja ka njoftuar menjëherë policinë, por deri mbrëmë nuk është mundësuar gjetja e tij dhe kthimi i fëmijës pranë familjes, siç ka lënë vendimin gjykata. Burimet policore bënë të ditur se Vjollca P. 56 vjeçe, ka denoncuar këtë rast pranë Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet. Ajo ka treguar se ndodhej te Rruga e Kavajës, pikërisht rreth orës 10.00 të së mërkurës. Me vete kishte marrë edhe nipin 3-vjeçar, Edison K. Në ato momente i është afruar ish-dhëndri 23-vjeçar, Marsel K. Ai ka shkëmbyer disa fjalë dhe më pas ia ka marrë fëmijën me forcë nga duart, duke u larguar bashkë me të. Gruaja ka treguar në polici se gjykata kishte vendosur që fëmijën ta rriste nëna dhe jo babai, por ai duke kundërshtuar vendimin e gjykatës, e ka marrë me forcë. Në këto kushte, policia ka nisur kërkimin dhe po punon për kapjen e 23-vjeçarit dhe gjetjen e fëmijës.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›