Dobrica i Vogël
Dobricës së vogël i doli gjumi dhe e pa veten se ishte i shpëluar nga zjarmia. Më mirë të isha në Stepe se që zbrita buzë Danubi të kaltër. Dukej për gjynah se ëndrra e kishte tradhtuar dhe vatani nuk ishte aq sa e kishte parë në ëndërr. Orë e çast i zvoglohej dhe Serbia e Madhe, i bëhej gjithnjë më e vogël. Ishte zgataraqur dhe kishte rënë nga shtrati; kishte pëshpëritur se vërtetë çdo gjë sërbe qenka ngritur mbi rrenën. Disi lexuesit kishin zënë t’u besojnë fjalëve të tij, se Dobrica nuk na qenka më i përrallave, por kishte zbritur në tokë dhe do t’i vëhen pas, edhe në kasaphane, atje në fund të botës.
Ndodhën luftëra dhe Serbia nuk ishte ajo çfare e kishte parë në ëndërr. Ishte një pashallëk, të cilit i mungonte “Makbethi i Pozharevcit”. Pra, ku t’ia niste kur në atdhe nuk kishte më as vend për varre. Popujt deri dje “vëllezër” të një shteti fantom që ishte ngritur brenda konturave të një ëndrre e që nacionalizmi serb e shikonte si Serbi të Madhe, përjetonte tërmete. Se kishin zënë të shkëputen popujt, të ngrisin çatitë e tyre, të kujdesen për atë pëllëmbë toke, që u takonte e të mbytur në gjak.
Dobrica i vogël kishte dalë në Çarshi aty tek Kalamegdani, kishte tubuar pleqtë e kombit tek fajësonte para tyre Kushtetutën e vitit 1974, që u kishte dhënë një trohë të drejtë dhe të tjerëve. Por të vogëlit Dobricë i bëhej gjithnjë më i vogël Pashallëku, dhe nuk mund t’i bënte ballë rrënimit të ngadalshëm të ëndrrës së tij, nuk besonte as ta pranonte. Diçka në vete e hante, si ndodhi shqiptarët: “ajo fundrrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit, tribal dhe barbar, i bën aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të ndritur të Ballkanit”(! Sic). Fjalë më të rënda nuk mbaj mend se ka thënë kush për shqiptarët. Kishte harruar i gjori se në Gadishulli Ilirik kur gjallonin të parët tanë, fisi i tij bridhte diku në Stepen e largët. E kishte zënë gjumi, fqinjët iu kishin shfaqur përreth si kunguj që binin nga shpata e “Makbethit të Pozharevcit”. Sytë e përlotur në fërk, i kishte drejtuar nga Stepa dhe e kishte lëshuar fuqia. “Dielli është larg”, vërtet na qenka larg, kishte pëshpëritur, për gjynah. Tani thonë se e kërkojnë nëpër vrimat e historisë, por si t’i skajojnë kungujt përreth, se nuk mund të merrkan frymë aty në Pashallëk. Dikur kishte klithur: ku janë Pavli, Amfilohije Radoviq? Ta kërkojnë edhe varrin e fundit në Albani, se ne e çliruam.
Anamalasit e mbajnë në mend këte të dytin, këte farë Radoviqin i cili në majë të Rumisë kishte vënë kupolën e ortodoksizmit me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë së Serbisë, ditën kur shqiptarët bartnin gurë nga rrënza në majë e që dëshironin të duket ajo më e lartë, se e konsideronin mal të shenjtë. Pra nacionalizmi serb me Dobricën e vogël ka filluar një propaganda më se të çuditshme përmes varreve të paqena të luftojë të qenit e qenies shqiptare. Ndërsa shteti shqiptar bën sehire tek shikon kuajt e vdekjes si ladrojnë.
Megjithate, Dobrica i vogël mbet xhuxh se bota ndryshe e pa realitetin.