Veliaj sulmon sërish Metën
Drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj, akuzoi sërish kryetarin e LSI, Ilir Meta, për gjendjen ku ndodhen shqiptarët. Veliaj i bëri komentet gjatë një konference për shtyp, ku tha se seanca e mocionit e Berishës solli më shumë ndotje akustike për shqiptarët dhe asgjë tjetër. “Shqetësimi ynë tjetër vjen në lidhje me një tjetër ndotje akustike dje, këtë radhë jo nga një kryeministër, por nga një ish-kryeministër. Ajo që ne duam t’iu kërkojmë shqiptarëve është që këto 18 vjet nuk i trashëguam problemet nga hiçi, por pikërisht nga këta ish-kryeministra dhe që sot Shqipëria ka shumë më shumë probleme reale sesa interesat e ngushta politike të një force dhe ajo që duam t’iu kujtojmë shqiptarëve është se duke filluar nga kjo konferencë kemi një numërim mbrapsht të ditëve të fundit, ditët që i kanë ngelur deri në fund mandatit të Berishës. E bëjmë këtë për t’iu dhënë kurajë njerëzve, sepse kanë mbetur jo më shumë se rreth 235 ditë për të sjellë ndryshimin. Kemi më shumë gjëra që na bashkojmë si shqiptarë se sa që na ndajnë. Shqipëria e kryeministrave dhe ish-kryeministrave me problemet që nuk lindën dje, por na përndjekin prej 18 vitesh, nuk do mbetet kështu. Kemi arsye për të pasur kurajë, sepse, dhe kur të gjitha institucionet e tjera dështojnë, një institucion mbetet gjithmonë: solidariteti i shoqërisë sonë”, - tha Veliaj.