E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundera, një shembull për të ndenjur larg të keqes

Nga Celo Hoxha

Në romanin “Shakaja” të Kunderës, një nga personazhet deklaron se e urren rininë, mosha – sipas tij – e injorancës. Për ironi, me zbulimin se në moshën 21-vjeçare Kundera ka denoncuar në policinë e regjimit komunist një njeri, që për pasojë vuajti 14 vjet burg, “mosha e injorancës” së autorit po hakmerret ndaj tij. Sa herë që ta ndeshim, këtej e tutje, fytyra e Kunderës do të shfaqet me vragën e kësaj goditjeje.

Kundera e shkroi “Shakanë” në mesin e të tridhjetave, një moshë kur 20-vjeçarët të duken vërtet injorantë. Nga këndvështrimi i një plaku, sot ai mund ta ketë rritur tavanin e injorancës dhe ka arsye: 79 vite jetë e kanë ndihmuar të nxërë më shumë se më të rinjtë, marrëdhëniet e tij të ngushta me librin e kanë zgjeruar edhe më hendekun. Por dija e tij nuk mbaron me kaq. Plakushi i letrave çeke, për fatin e tij të keq, di edhe diçka më shumë se gjithë qytetarët e tjerë të botës: të vërtetën e rolit të Kunderës 21-vjeçar në denoncimin e të riut antikomunist çek, Miroslav Dvoraçek.

Po e rikujtoj shkurt ngjarjen e publikuar në revistën çeke “Respekt”, e cila u botua e plotë në gazetën “TemA” disa ditë më parë: Miroslav Dvoraçek kishte hyrë në Çekosllovaki për të rekrutuar dikë në shërbim të amerikanëve; në Pragë ai vizitoi një shoqe shkolle dhe la valixhen në apartamentin e saj; ajo i tregoi të dashurit të saj dhe burrit të ardhshëm, Miroslav Dlask; ky i tregoi Kunderës. Kur u kthye të merrte valixhen, Dvoraçek u arrestua; u dënua me 22 vjet burg, bëri 14. Kundera u bë një shkrimtar i njohur dhe nuk ka folur kurrë direkt për këtë histori.

Pesëdhjetë e tetë vjet më vonë, Dvoraçek, i cili jeton në Suedi, vazhdon të mendojë se vuajtjet e tij nisën, pasi u tradhtua nga shoqja e tij, Iva Militka; bashkëshorti i saj ka vdekur dhe në të gjallë i kishte thënë dikujt se denoncimin e kishte bërë ai; dokumenti i gjetur në arkiva tregon se denoncimin e ka bërë Kundera; shkrimtari, veç një deklarate të shkurtër mohuese për një agjenci çeke, nuk ka folur. Pra, shenjat tregojnë se kjo histori mund të mbetet përjetësisht e diskutueshme, si shumë të tjera para saj.

Heshtja e Kunderës nuk ka më vlerë. Duke heshtur për 58 vjet me radhë, Kundera tregon se dijet e tij kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mangëta. Ai nuk e ka ditur dhe ende nuk e di që dija dhe talenti të hapin shumë dyer, por jo ato që i kyç vetëm morali.

Denoncimi që dikur mund ta ketë ndihmuar për të hyrë fuqishëm në botën e letrave çeke, po bëhet shkak për ta damkosur përjetësisht emrin e tij, për shkak të fshehjes së një krimi. Statura ndërkombëtare e shkrimtarit rriti automatikisht edhe përmasat e viktimave të tij dhe sot gjykimi bëhet mes të barabartëve. Viktimat e dikurshme tashmë janë kthyer në heronj të heshtur, ndërsa Kundera do të mbetet përjetësisht talenti, sipas zhargonit komunist, “me njollë në biografi”.

Për shqiptarët, kjo histori ishte një rast i jashtëzakonshëm për të hapur një debat të gjerë, sepse historia jonë dhe e çekëve, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kanë patur shumë ngjashmëri. Duke patur para syve historinë e Kunderës, që nga rinia e tij, kur shkruante vjersha të zjarrta për komunizmin e deri në ditët e sotme, ne mund të analizonim histori të ngjashme në vendin tonë apo jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarëve tanë të së njëjtës periudhë. Ajo që vihet re te Kundera, gjë për të cilën ai gjykohet ashpër, është heshtja e tij për ngjarjen konkrete, se, realisht, ai është penduar dhe, tërthorazi, ka kërkuar ndjesë përgjatë disa dekadave, me veprën e tij. Fatkeqësisht, debati nuk mori hov në Shqipëri, sepse inkriminimi i shkrimtarëve te ne ka qenë më i madh dhe më i drejtpërdrejtë. Dhe për një arsye shtesë: askush nuk do ta merrte për të sinqertë ndjesën, njëzet vjet më vonë nga dita e parë që u krijua mundësia për ta bërë atë.

Ish-shkrimtarëve në shërbim të komunizmit u mungon ajo që u ka munguar gjithmonë: fuqia morale. Dhe vazhdojnë të kenë atë që përherë e kanë patur, që për ta siguruar bënë edhe kompromise kriminale: pushtetin. Nëse sot ndonjë nga këta ish-shkrimtarë vazhdon të gëzojë emër të mirë në opinionin shqiptar, kjo ndodh për hir të pushtetit që ai/ajo zotëron, me fije të nëndheshme, jo për shkak të veprës.

Me Kunderën, pavarësisht historisë së denoncimit, ndodh e kundërta. Ai respektohet për veprën.

Kundera është një shkrimtar moralisht superior ndaj shkrimtarëve që bashkëpunuan gjithë jetën e tyre me komunizmin. Me botimin e “Shakasë”, një satirë therëse antikomuniste, dhe largimin për në Francë më vonë, Kundera e bëri qartë ndarjen mes të mirës dhe të keqes.

Kundera është shkrimtar moralisht superior ndaj shkrimtarëve lindorë që u ndanë me komunizmin vetëm pas vitit 1989 në Evropën e Lindjes dhe në 1990 në Shqipëri. Ai është gjithashtu moralisht superior ndaj shkrimtarëve, ndoshta edhe të talentuar, që nuk bënë kurrë denoncime te policia komuniste apo Sigurimi, por që ishin deputetë, anëtarë të KQ të partive komuniste në pushtet, ministra, zëvendësministra, kryetarë apo nënkryetarë të organizmave të ndryshme si Fronti Demokratik etj.

Me raste si i Diana Çulit, që me ekspertizën e saj letrare një poet u dënua me vdekje dhe vazhdon të jetë deputete, Kundera as mund të përqaset. Historia e Çulit është shembulli më i spikatur i inkriminimit të ish-shkrimtarëve dhe i nënshtrimit të pjesës tjetër të shoqërisë. Për mua është akt kriminal edhe fakti që njerëz të tillë jetojnë ende me të ardhura nga taksat e shqiptarëve, përfshi edhe viktimat dhe pasardhësit e viktimave të tyre.

Kundera është moralisht inferior krahasuar me raste të tjera. Për shembull, Xhorxh Oruelli i përcolli Ministrisë së Jashtme britanike një listë me shkrimtarë bashkëkohës të tij që ishin ose mendohej se ishin komunistë. Disa prej tyre mund të kenë patur, megjithëse nuk mund të them me siguri, edhe penalizime prej këtij fakti. Por rasti i tij dhe i Kunderës ecin në drejtime të kundërta. Oruelli me veprimin e tij përpiqej të mbronte vendin e tij nga komunizmi, ndërsa Kundera me denoncimin e tij mbronte komunizmin në vendin e tij.

Gjithashtu, Kundera është moralisht inferior ndaj njeriut që ai e denoncoi, Mirosllav Dvoraçekut. Jeta e tij u shkatërrua, sepse në rininë e tyre Kundera kishte përkrahur një kauzë kriminale dhe në fund fitoi kauza që mbronte Dvoraçeku.

Kunderën e kanë mbrojtur, pas zbulimit të denoncimit, shumë shkrimtarë. Një pjesë kanë mbrojtur me forcë veprën e tij, të paktën gjithë çfarë ai ka shkruar pas romanit “Shakaja”. Por kjo i përket të tashmes. Në të ardhmen, kur lexuesit të marrin në dorë librat e Kunderës, ata që e kanë dëgjuar historinë e denoncimit, do të kujtohen që autori pati një periudhë bashkëpunimi me diktaturën komuniste. Kjo do të shkruhet edhe në biografitë e autorit që zakonisht shoqërojnë librat. E kështu lexuesit, edhe ata që nuk do të kenë dëgjuar për denoncimin, do të marrin mesazhin që ka rëndësi në gjithë debatin e sotëm: nëse diku gjatë jetës së tyre bashkëpunojnë me të keqen, një ditë historia do të tregohet me ta e pamëshirshme. Dhe, me shpresë, kjo do t’i shtyjë, për të mirën e tyre dhe të botës, t’i qëndrojnë larg të keqes, nëse iu bie rasti ta ndeshin rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›