Kodi Zgjedhor, Meta takon Oli Renin
Miratimi i Kodit Zgjedhor e ka detyruar kreun e LSI-së, Ilir Meta, që të udhëtojë drejt Brukselit. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj partie, Meta ka zhvilluar takime të rëndësishme edhe në Komisionin Evropian, pa e përcaktuar qartë nëse takimi ka qenë me kryekomisionerin për zgjerimin e BE-së Oli Ren. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë LSI-së, “gjatë këtij takimi që zgjati rreth 40 minuta, z. Meta paraqiti para komisionerit Ren shqetësimet mbi problemet që ka Kodi i ri Zgjedhor, mungesën e garancive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si dhe monopolizimin që kanë bërë dy partitë e vjetra, PD dhe PS, për administrimin e procesit zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it si dhe me dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare për zgjedhjet. Nga ana e tij, z. Ren i përcaktoi zgjedhjet e ardhshme si kushtin kryesor të integrimit të Shqipërisë në BE”. Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Bruksel, lideri i LSI-së zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Evropiane (PSE), z. Filip Korderi. Korderi tha gjatë takimit se “jemi të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen përmes një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet dhe garancitë ndërkombëtare për zgjedhjet”. Ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, konfirmoi se vizitat, shumë të rëndësishme, të zotit Meta janë një nga etapat e të gjithë aksionit politik për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar lidhur me zgjedhjet që po përgatisin dy partitë e mëdha. Sot, LSI-ja së bashku me PDK-në e PS91 e gjithë faktorët e tjerë politikë që i mbështesin do të zhvillojnë një protestë në sheshin “Skënderbej” kundër PD-së e PS-së që miratuan Kodin Zgjedhor. “Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim dhe zoti Meta në krye të veprimit shumë të rëndësishëm politik lidhur me faktorin ndërkombëtar, nuk po bëjmë as më shumë dhe as më pak, veçse po u bëjmë të qartë të vërtetat, ashtu siç janë në tavolinë, të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, të cilët janë treguar shumë dashamirës dhe konstruktivë për t’i pranuar dhe për të rishikuar të gjitha realitetet sepse ato kanë servirur në mënyrë të pavërtetë dhe të qëllimshme për të realizuar interesa të ngushta të individëve të caktuar”, - tha Vasili. Mësohet se sot në protestën e partive që kontestojnë Kodin Zgjedhor, pritet të jetë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, përfaqësues të PAD-së etj.