E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli mbush 45 vjeç

Ishte ora rreth 8 e mëngjesit, kur zakonisht kryetarja e Kuvendit shkon në zyrën e saj. U ngjit në katin e tretë, hapi derën e paradhomës së saj, por në këtë moment, ajo dëgjoi një thirrje të lartë: “Surprizë”, të bërë nga afërsisht 140 veta të mbledhur në këtë sallë të vogël. Ishin të gjithë pjesëtarë të stafit të Kuvendit dhe stafi i saj i ngushë që i kishin bërë një të papritur për ditëlindjen e saj të dyzet e pestë. Pikërisht më 26 nëntor, 45 vite më parë, kryetarja e Kuvendit lindi në Shkodër. Stafi i Kuvendit i kishte përgatitur një tortë të madhe ku shkruhej “Edhe 100 vjet të tjera”, si dhe kryetares i dhuruan dhurata simbolike nga stafi i saj. Zyra e saj dje ka qenë e tejmbushur me lule të shumta të cilat kanë qenë një problem i vërtetë për sistemimin e tyre. Lulet nuk munguan nga shumë personalitete shtetërore të cilët i kishin dërguar së bashku me një kartolinë urimi. Në fakt, gjatë gjithë ditës së djeshme, në shkallët e Kryesisë së Kuvendit, shihje shpesh oficerin e shërbimit që dërgonte në katin e tretë tufa lulesh nga më të ndryshmet. Stafi i kryetares tregon se kryetarja ka marrë mesazhe urimi të pafundme nga i gjithë spektri politik, partitë politike, përfaqësitë diplomatike etj. Atmosfera e kësaj feste të organizuar nga stafi i kryetares përfundoi me urime të shumta, dhe më pas, kryetarja e Kuvendit iu kthye detyrës, ku kishte në axhendë një takim të rëndësishëm me 5 deputetë nga Kosova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›