E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: MB-ja të reagojë për dhunën në komisariate

Partia Socialiste kërkoi dje reagimin e ministrit të Brendshëm për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ushtrimin e dhunës në mjediset e Policisë së Shtetit dhe prej policëve të shtetit. Deputeti i kësaj partie, Pirro Lutaj, tha se Partia Socialiste shpreh shqetësimin për rastet e përsëritura të dhunës së ushtruar në Vlorë, Peqin, Sarandë e Shkodër, të cilat sipas tij, të flasin qartë për deformimin e imazhit të policisë si institucion që mbron dhe garanton sigurinë e qytetarit.

Njëkohësisht, ai përmendi si arbitraritet policor rastin kur Avokati i Popullit, pas denoncimit të dhunës së ushtruar nga oficerët e policisë mbi një të ri 20-vjeçar, përballet me padinë e policisë së qarkut të Shkodrës. “Ky rast i paprecedent në praktikën e deritanishme të marrëdhënieve mes institucionit të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit, për Partinë Socialiste shërben si argument për një alarm dhe apel drejtuar qeverisë. Kjo ndodh pikërisht në ditët kur Komiteti i Ministrave miratoi deklaratën për veprimin e Këshillit të Evropës për të përmirësuar mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe promovuar aktivitetet e tyre”, - tha Lutaj. Ndaj ai bëri thirrje publike ministrit të Brendshëm, zotit Nishani, dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Ahmet Prençi, që në funksion të postit dhe detyrimit ligjor që kanë, të reagojnë pa humbur kohë.

Manjani: Drejtësia të garantojë paratë që u vidhen shqiptarëve

Partia Socialiste kërkon ndërhyrjen e prokurorisë dhe gjykatave që të mbrojnë paratë e shqiptarëve nga ajo që kjo parti e konsideron abuzim galopant i qeverisë. Kryetari i komisionit të ligjeve në PS, Ylli Manjani, tha se mënyrë të veçantë, socialistët u kërkojnë këtyre organeve që përveç ndëshkimit penal, abuzuesit duhen detyruar të paguajnë faturën e dëmit ekonomik, sepse shqiptarët nuk u kanë asnjë borxh abuzuesve të Sali Berishës.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se qeveria është përfshirë e tëra në korrupsion. Që nga viti 2005 e deri në korrik 2008, KLSH-ja ka konstatuar mbi 2.7 miliardë lekë (2 716 631 000 lekë). Nga ana tjetër, siç është raportuar edhe në shtyp, kemi një super dëm ekonomik të shkaktuar nga korrupsioni dhe abuzimet në rrugën Durrës-Kukës, ku paraprakisht është llogaritur një dëm prej mbi 200 milionë eurosh”, - tha Manjani. Sipas tij, në këtë raport flitet për shuma marramendëse të cilat janë dëm i pastër ekonomik i shkaktuar nga qeveria e duarve të pastra të Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›