E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, eurodeputeti interpelancë me Rehn

 

Eurodeputeti Paulo Kasaka duke shprehur shqetësim për ngadalësinë dhe cilësinë e Reformës Zgjedhore në Shqipëri, ka kërkuar një interpelancë në Parlamentin Evropian me Kryekomisionerin e BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, për Reformën Zgjedhore në Shqipëri. Eurodeputeti përmes kësaj interpelance kërkon të tërheqë vëmendjen e Komisionit Evropian në lidhje me Reformën Zgjedhore në Shqipëri, duke e cilësuar një pikë kyçe në forcimin e demokracisë në Shqipëri. "Kodi i ri elektoral mund të çojë në zhdukjen e disa partive parlamentare, që dukshëm mund të dobësojnë debatin politik dhe kësisoj mund të minojnë demokracinë në Shqipëri", shprehet Kasaka në një nga pikat e interpelancës që ka kërkuar me kryekomisionerin e Zgjerimit, Olli Rehn. Ai i kërkon më shumë vëmendje nga ana e Komisionit Evropian drejt zgjedhjeve në Shqipëri, "si një vend që aspiron BE-në, por që nuk shquhet deri tani për zgjedhje të lira dhe të ndershme". Eurodeputeti shprehet në kërkesën e tij se, "zgjedhjet e vitit 2009 janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe standardet e saj të reja të zgjedhjeve, meqë po afrohet dhe anëtarësimi në BE". Por Kasaka në vijim të shqetësimit të tij, ngre pyetjen nëse është i interesuar Komisioni Evropian të ndjekë nga afër hartimin e Kodit të ri zgjedhor në Shqipëri, për shkak se ai mund të ndikojë në cenimin e hapësirave demokratike. "Në këtë kontekst, a e konsideron Komisioni të ndjekë me vëmendje përgatitjet e këtij Kodi të ri elektoral në Shqipëri, i cili mund të reduktojë hapësirën demokratike të disa partive me peshë të konsiderueshme në elektoratin shqiptar"?, shprehet në kërkesën e tij Kasaka. Eurodeputeti i propozon Komisionit Evropian të kërkojë garanci nga Shqipëria për disa standarde demokratike që duhet të fiksohen në Kodin e ri Zgjedhor. "A planifikon Komisioni të marrë disa garanci që Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme që mund të bazohen në; një reformë elektorale gjithëpërfshirëse dhe transparente, si dhe një Kod Elektoral demokratik duke respektuar dhe përfshirë të gjitha partitë; një proces të plotë gjithëpërfshirës të administrimit dhe numërimit të votave; në rregulla të ndershme që favorizojnë pluralizmin dhe në votën e qytetarëve me dokumentet e reja të identifikimit", shprehet Kasaka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›