Kapet studenti i Ekonomikut, shiste drogë
TIRANE - Studenti i Ekonomikut prangoset duke shitur drogë në qytetin "Studenti", ndërsa policia i bllokoi 200 gramë lëndë narkotike në shtëpi. Elton Alizoti, 24 vjeç, nga Berati, banues në Tiranë, në rrugën "Budi", është arrestuar nga oficerët e antidrogës së kryeqytetit mbrëmjen e të mërkurës në afërsi të godinës nr.27 të qytetit "Studenti", ndërsa po i shiste një sasi lënde narkotike, marijuanë, një tjetër studenti, kundrejt një shume prej një mijë lekësh të reja. Oficerët e antidrogës kanë kapur 24-vjeçarin, kur ai po këmbente marijuanën me paratë. Menjëherë atij i janë vënë prangat dhe më pas blutë kanë mbërritur bashkë me studentin në banesën e tij të marrë me qira jo shumë larg vendit ku u ndalua. Sapo i kanë pohuar se do t'i kontrollonin banesën, studenti nga Berati ka këmbëngulur që banesën të mos ia kontrollonin, por agjentët janë nisur në drejtim të saj dhe atje kanë gjetur një qese të madhe brenda së cilës ishte paketuar një sasi prej rreth 200 gramësh marijuanë. Sipas burimeve, lënda narkotike ishte paketuar në qese të vogla farmacish, të gatshme për shitje. Më parë në momentin e arrestimit, policia i kishte gjetur atij tri qese me lëndë narkotike, të një cilësie të mirë. Pas kontrollit të kryer, policia ka arrestuar në flagrancë studentin e vitit të katërt, me akuzën e posedimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Dyshohet se lënda është blerë në qytetin e Beratit, edhe nga ishte vetë studenti Alizoti. Më parë, një kushëri i të arrestuarit është hetuar dhe dënuar për shitje, trafikim dhe kultivim të kanabisit. d.b