Zgjedhjet në PD, Berisha merr Tiranën
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha do të drejtojë grupin e punës së Qarkut të Tiranës për zgjedhjet brenda partisë. Për herë të parë, që nga krijimi i kësaj force politike, kreu i saj, do të jetë drejtuesi i grupit të punës për kryeqytetin. Kryesia e PD-së e mbledhur të martën në mbrëmje ka përcaktuar krerët e grupeve të punës në të 12 qarqet e vendit, të cilët do të monitorojnë nga afër procesin e zgjedhjeve në degë. Grupi më i madh është pikërisht ai i Tiranës, i cili drejtohet nga kryeministri dhe në përbërje të tij do të jenë shumica e deputetëve të grupit parlamentar. Vendimi i Berishës për të drejtuar grupin e Tiranës bëhet edhe më interesant pas shpalljes së kandidaturës së Besnik Mustafajt për të drejtuar degën e kryeqytetit. Vetë Mustafaj ka lënë të kuptohet, se nuk është konsultuar me kryeministrin Berisha, i cili nga ana tjetër pritet të nxjerrë edhe rivalin e ish-ministrit të Jashtëm. Deri tani emri më i përmendur si kundërshtari i mundshëm i Mustafajt është drejtori aktual i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili është parë së fundi shpesh në disa dalje publike dhe në krah të kryeministrit Berisha. Njëkohësisht, ajo që bie në sy në drejtuesit e grupeve të punës në qarqet e vendit është pikërisht emërimi i Genc Pollos në krye të grupit të Gjirokastrës. Pas shkrirjes "de facto" të PD-së me PDR-në, duket se kjo shënon përfundimisht edhe shkrirjen "de jure" të këtyre dy forcave politike. Së bashku me Genc Pollon në Gjirokastër do të jetë edhe ish-zv.kryeministri Ilir Rusmali. Ndërkohë, drejtues të grupeve të punës në qarqe nuk janë më vetëm anëtarët e kryesisë. Kështu në Qarkun e Shkodrës, ku kryetare e grupit të punës është nënkryetarja e PD-së dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nënkryetar i këtij grupi është deputeti Astrit Bushati. Në Qarkun e Dibrës, përveç Ilir Banos (nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së) i cili do të jetë kryetar i grupit të punës, nënkryetar është Njazi Kosovrasti. Në Durrës kryetar i grupit të punës do të jetë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ndërsa nënkryetar i këtij grupi, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja. Në mbledhjen e kryesisë, e cila nuk ka zgjatur shumë, mësohet të jetë folur për detajet e procesit të zgjedhjeve nëpër degë. Kryeministri Berisha ka kërkuar nga anëtarët e kryesisë, që procesi i zgjedhjeve në degë të përfundojë sa më shpejt. Krerët e grupeve të punës do të ndjekin nga afër procesin zgjedhor, si dhe do të raportojnë në kryesi lidhur me fushatën. Pak javë më parë kryesia e PD-së miratoi udhëzimin, ku përcaktohen kriteret për kandidatët, që do të garojnë për degët e partisë. Kështu do të merret parasysh fakti nëse kandidati për kryetar dege ka dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së, apo ka marrë rezultate elektorale më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues i degës.
Drejtuesit e grupeve të Punës
Tirana, Sali Berisha dhe deputetët e Tiranës
Shkodër, Jozefina Topalli, Astrit Bushati
Kukës, Jemin Gjana, Aleksandër Biberaj
Dibër, Ilir Bano e Njazi Kosovrasti
Lezhe, Edi Paloka, Fatos Beja
Durrës, Gazmend Oketa, Gjergj Lezhja
Elbasan, Lulzim Basha, Halit Shamata
Berat, Majlinda Bregu, Edmond Spaho
Fier, Sokol Olldashi, Genc Ruli
Korçë, Ridvan Bode, Marjeta Zaçe
Kavajë, Flamur Noka
Rrethi i Tiranës, Gent Strazimiri
Gjirokastër, Genc Pollo, Ilir Rusmali
Vlorë, Astrit Patozi, Leonard Demi