“Klandestinët kalonin nga Butrinti prej dy muajsh”
Trazhgim Sokolaj
Kalimi me varka përmes liqenit të Butrintit, me destinacion Greqinë, ishte kthyer në një linjë trafiku për klandestinët të paktën prej dy muajve. E njëjta varkë që u mbyt të dielën por edhe mjete të tjera lundruese janë përdorur në të njëjtin liqen për dhjetëra herë gjatë muajve të fundit, për të nxjerrë matanë në Xare grupe të ndryshme klandestinësh që kalonin ilegalisht në Greqi. Ndjekja e vazhdueshme nga policia e grupeve të klandestinëve që përdornin vendkalime të tjera të kufirit me Greqinë në jug të vendit dhe goditja e disa grupeve kriminale që trafikonin klandestinë në këto zona, kishte detyruar "njerëzit e nëntokës" e trafikut të ndryshonin strategji. Pasi kanë kuptuar se ishin zbuluar dhe policia po gjurmonte kalime të mundshme klandestinësh në të paktën dy zona të tjera të evidentuara në Sarandë, trafikantët kanë vendosur të provojnë kalimin e ilegalëve përmes liqenit të Butrintit. Kjo veprimtari kriminale ka vazhduar prej të paktën dy muajve ndërsa u zbulua vetëm pas tragjedisë së ndodhur të dielën me përmbysjen e varkës së tejmbushur, e cila siç rezulton deri më tani, shkaktoi katër të vdekur.
Hetime komplekse
Oficerë dhe specialistë të Drejtorisë Qendrore të Antitrafiqeve dhe Krimit të Organizuar po qëndrojnë prej të dielës në Butrint dhe në Sarandë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të tragjedisë. Ata janë duke hetuar edhe vetë policinë, nëse kjo e fundit ka pasur më parë sinjale për kalim klandestinësh përmes liqenit të Butrintit. Gjatë dëshmive dhe informacioneve në mbledhura nga agjentët e antitrafiqeve në terren, është mësuar prej banorëve dhe të punësuarve në bizneset e vogla private që ndodhen aty, se gjatë dy muajve të fundit, të paktën katër grupe klandestinësh kanë kaluar përmes të njëjtës rrugë me atë që ndoqën të dielën 24 persona, nga të cilët vdiqën 4 prej tyre. Oficerët e Antitrafiqeve dhe zyrtarët më të lartë të policisë së shtetit janë duke kryer hetime komplekse nëse policia ka pasur sinjale për këtë linjë trafiku dhe shkaqet e rrethanat e mosveprimit apo mos zbulimit të saj. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nëse policia do të ndërhynte në kohën e shfaqjes së trafikut në këtë linjë, tragjedia e ndodhur në liqenin e Butrintit mund të parandalohej.
Dëshmitarët
Gjatë hetimeve për zbardhjen e rrethanave në të cilat ndodhi tragjedia e së dielës, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe pronarë e punonjës të bareve, restoranteve dhe bizneseve të tjera që ndodhen në zonën pranë liqenit të Butrintit. Gjatë deklarimeve të marra prej këtyre personave, është mësuar se të paktën prej dy muajve ata kanë parë grupe të ndryshme nga 7-15 persona, që drejtoheshin te varkat e më pas kalonin liqenin për t'u larguar ilegalisht në Greqi. Dëshmitarët kanë rrëfyer edhe të dhëna të tjera që hetuesit nuk preferuan t'i bëjnë publike për shkaqe të sekretit. Përqendrimi i klandestinëve në kalimin përmes liqenit të Butrintit, mësohet se ka ndodhur për shkak se policia kishte "mbyllur" rrugëkalimet në zonat e tjera të Sarandës. Të paktën tri grupe kriminale janë goditur kohët e fundit në bashkëpunim me Krimet e Rënda ndërsa policia e prokuroria lokale kanë proceduar dhjetëra raste të tjera trafikantësh që shfrytëzonin rrugëkalime të ndryshme ilegale për kalimin e klandestinëve drejt Greqisë.
Meçani: Rama kërkon rikthimin e skafeve
Kryeministri Berisha i ka shprehur dje ngushëllimet viktimave të liqenit të Butrintit nëpërmjet zëdhënëses së tij, Juela Meçani. Sipas saj, kreu i qeverisë që në çastin e parë të marrjes së njoftimit për përmbysjen e dy varkave në Butrint, ka ndjekur hap pas hapi të gjitha zhvillimet dhe është interesuar menjëherë për ndihmën mjekësore, që u është dhënë të mbijetuarve. "Kryeministri Berisha nuk mund të mos shprehë shqetësimin për interesa jo të pastra, që fshihen pas thirrjeve të opozitës. Natyrisht, ai nuk pajtohet me to, sepse rikthimi i skafeve parakupton jo vetëm mundësinë e tragjedive më të mëdha në det, por ndëshkimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve për liberalizimin vizave", tha Meçani.
Braçe: Tragjedia tregon degradimin e qeverisë
Nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë akuzoi qeverinë se me degradimin e saj po shkakton tragjedi njerëzore. "Prej katër ditësh po konsumohet në skajin më jugor të vendit, në mënyrën publike më të mundshme. Viktimat po shtohen, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga familjarët e tyre", tha Braçe. Sipas tij, në këtë tragjedi të radhës, kryeministri tregoi papërgjegjshmërinë e radhës. "Ky njeri gjeti dje kohë të degustojë verën, por nuk pati asnjë lloj ndjeshmërie njerëzore apo skrupulli moral prej babai dhe prej gjyshi për të shkuar dhe ngushëlluar familjen e Demir Bakiut, në Perondi të Beratit, babait të Elvirës 22-vjeçare dhe gjyshit të Klarës 3-muajsh", tha Braçe.
Klosi: Zëdhënësit e PD-së, tellallët e Berishës
Sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, duke hedhur poshtë deklaratën e zëdhënëses së PD-së në lidhje me qëndrimin e opozitës ndaj tragjedisë së Butrintit, e konsideroi atë të qëllimtë. "Për të kuptuar gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet Partia Demokratike, mjafton të vlerësosh zëdhënësit e saj më të rinj, të cilët janë transformuar në tellall të paturpshëm të liderit të tyre Sali Berisha, të cilët në deklarata të pakuptimta kërkojnë të shmangin vëmendjen. Ajo çfarë e gjithë qytetaria sot po kërkon, është që Sali Berisha, jo vetëm të largohet nga drejtimi i qeverisë, por ai urgjentisht duhet të largohet edhe nga jeta politike e vendit", tha Klosi.
Incidenti në kufi, policia greke plagos shqiptarin
GREQI - Tre shqiptarë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin grek, janë përfshirë në një incident me armë nga policia vendase. Burime nga spitali i Janinës, "Haxhikosta", bënë të ditur se është paraqitur me plagë të një plumbi në shpatull shqiptari nga Delvina, Halo Zhupa. Mësohet se 27-vjeçari kishte kaluar kufirin bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Sipas policisë së Janinës, ngjarja ka ndodhur të hënën. Djemtë janë përballur me policinë greke në fshatin Htisma. Ende nuk dihen rrethanat e vërteta të kësaj ngjarjeje kur policia qëlloi me armë ndaj njërit shqiptar. Ndërsa dy të tjerët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, mundën të largoheshin. I plagosuri u shoqërua në spitalin e Janinës nga ku po merr ndihmën mjekësore. Gjendja e tij, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut. Ndërkohë që gjykata greke u ka kërkuar policëve të përfshirë në këtë incident të faktojnë versionin e tyre në lidhje me këtë ngjarje. Gjykatësit nuk janë bindur në versionin e dhënë prej tyre. Kjo edhe për shkak se provat e paraqitura nga policët ishin kontradiktore. Ata pretenduan edhe para kolegëve të tyre se kishin tentuar të ndalonin djemtë shqiptarë, pasi dyshuan se ata po transportonin drogë. Në momentin e ndalimit, shqiptarët i kishin udhëhequr ata për disa metra për t'i çuar tek vendi ku e kishin fshehur mallin. Por njëri prej tyre, konkretisht i plagosuri kishte tentuar t'i marrë armën policit grek. Kolegët e tij më pas e kanë qëlluar atë duke e lënë të plagosur. Nga verifikimi i provave të paraqitura nga policët grekë ka mospërputhje në këtë version. Në krëhrin e armës së bllokuar është gjetur vetëm një fishek, çka vërteton se polici kishte qëlluar më shumë se një herë. Efektivët e Janinës nuk mundën të gjejnë drogën e dyshuar, ndërsa plaga që ka marrë mbrapa shqiptari, fakton se ata nuk kanë qenë në momente përleshje kur ai është qëlluar. Gjykata greke u ka lënë vetëm pak ditë afat policëve për të mbledhur prova dhe për të faktuar pretendimet e tyre, në të kundërt ata rrezikojnë të arrestohen. Dje i plagosuri është vizituar nga konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, Eshref Shehaj. p.n
Korfuz, bllokohet një skaf
Një skaf, i cili dyshohet se ka trafikuar klandestinë u bllokua nga policia e ishullit të Korfuzit në Greqi dy ditë më parë. Autoritetet vendase deklaruan se mjeti lundrues u gjet në breg të ishullit, por asnjë shenjë të klandestinëve të trafikantëve nuk kishte pranë tij. Ndërsa dyshimet e para janë hedhur mbi trafikantët shqiptarë, për shkak të afërsisë së brigjeve greke me ato të jugut tonë. Pak ditë më parë, në Korfuz u zbuluan disa emigrantë, me origjinë nga Afrika, të cilët po sipas policisë greke ishin nisur nga Saranda. Por, ky fakt u përgënjeshtrua nga pala jonë, sipas së cilës mjeti ishte nisur nga Igumenica e Greqisë.