Vrasja e dy policëve në Krujë, prokuroria paraqet provat
TIRANE - Prokuroria paraqiti dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda provat shkresore kundër tre të pandehurve, të akuzuar për vrasjen e dy agjentëve të policisë së Krujës dhe një shtetasi tjetër në vitin 1999. Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes ka prezantuar përpara trupit gjykues të gjitha provat shkresore që zotëronte për të vërtetuar akuzën mbi Shefqet Seferin, Sokol Halilajn dhe Dritan Rexhepin. Ata akuzohen për ekzekutimit të dy agjentëve të policisë së Krujës, Arben Keqit dhe Durim Kasmit, si edhe pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja, Ramë Bakiu. Në provat e paraqitura përfshiheshin aktet e këqyrjes së vendngjarjeve, fotografi të skenave të krimit; fotografi të viktimave në vendngjarje dhe në morg; procesverbalet e mjekëve ligjorë që kanë kryer autopsinë e trupave. Në tre fashikujt e provave e dorëzuara dje ishin edhe aktet e analizave daktiloskopike, të atyre balistike të gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Këqyrja e vendngjarjeve për të cilat akuzohen të pandehurit ishin të shoqëruara edhe me skica, ku viheshin në pah pozicionet e ekzekutorëve e të viktimave, në referim kjo nga objekte të palëvizshme. Gjithashtu në dispozicion të gjykatës u vendosën edhe tablate telefonike dhe transkipte bisedash telefonike mes të akuzuarve e të tjera prova. Të gjitha provat e paraqitura u pranuan nga gjykata, e cila do t'i administrojë ato në vazhdim të gjykimit. Ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit e kësaj çështjeje kanë ndodhur më 26 gusht dhe më 6 tetor të vitit 1999 në qytetin e Krujës. ar.ba