Dy shitjet e Edi Ramës para zgjedhjeve vendore

Izolimi publik i Edvinit bëhet për shkak të negociatave që po kryhen për të gjetur njeriun me mbështetje financiare, të cilit do t’i shesë kandidaturën e bashkisë së Tiranës. Rama ia ka me hile edhe vetë partisë. Ai po synon të mos marrë pjesë në shtabin e zgjedhjeve vendore, meqë do justifikohet me uljen e profilit. Kjo do t’i japë mundësi të negociojë me të tretët pensionin politik, që do marrë në 2013-n, pas katastrofës së pritshme edhe në zgjedhjet e përgjithshme
Heshtja e Edi Ramës, për zgjedhjet e afërta vendore, ku duket se nuk guxon as të falsë për përmirësim të mundshëm të Kodit Zgjedhor, nuk është asgjë më shumë se një plan i paramenduar nga vetë ai. Sipas këtij plani, dy janë qëllimet e tij kryesore, të përfitojë financiarisht dhe të përfitojë edhe kohë.
Përfitimi financiar ka të bëjë me shitjen e “postit” të kandidatit për kryetar bashkie në Tiranë. Në këtë “tender” të shpallur jopublikisht, Edi Rama është duke menduar dhe kërkuar për “ofertën më të lartë”, nga njëra anë, por ndërsa nga ana tjetër kujdes po tregon që ta shesë këtë shitje, si qerasje me protagonizëm, për ndonjërin prej mbështetësve të tij financiarë.
Duke siguruar përfitime financiare, nga shitja e “postit” të kandidatit për kryetar të bashkisë së Tiranës, njëherazi Edi Rama zgjedh tërheqjen e tij nga gara, me sigurinë dhe paramendimin se duke mos konkurruar, nuk dëshiron të jetë sërish në epiqendër të hetimeve për aferat e ndërtimit.
Në përpjekjen për të fituar kohë, shitja e “postit” të kandidatit për kryetar të bashkisë së Tiranës, nuk fsheh edhe një tjetër shitje të paramenduar të Edi Ramës, e cila nuk është asgjë veç shitja e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sigurisht, ky “biznes” i Edi Ramës, nuk shmang as qëndrimin apo sjelljen me hile ndaj Partisë Socialiste, duke mos dëshiruar dhe duke shmangur “statusin” e flamurtarit të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.
Shitja e dytë, po aq e rëndësishme sa e para, synon që t’i garantojë Edi Ramës mbijetesën edhe për të paktën dy vjet të tjera, deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2013. Kjo shitje, mbart me vete shpresë se Edi Rama, gjatë kësaj periudhe, do të mund të negociojë një marrëveshje për një pension të sigurt politik.
Ndaj edhe Edi Rama, i gjendur në një periudhë të vështirë për “biznesin” e tij, sa të mbyllet pazari i shitjeve, e ka të pamundur të flasë për çfarëdolloj çështjeje për zgjedhjet vendore.