Mazhoranca: Opozita sditi të vlerësojë shanset që i dhamë

Pyetjet:
Gjatë sesioneve të para të këtij legjislativi në Kuvend është ndjerë kriza e 84 votave. A i ka ezauruar shumica të gjitha rrugët për të arritur kompromisin me opozitën në këta 11 muajt e fundit?
Sa eficent ka qenë dhe me cilin bilanc i mbylli punimet sesioni i fundit parlamentar, i cili shpesh herë është cilësuar si parlament monokrom?
Deputetët e mazhorancës flasin për arsyet pse në sesionin parlamentar që kaloi nuk u miratua asnjë ligj me shumicë të cilësuar votash. Ligjvënësit japin qëndrimet e tyre për marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës në gjashtë muajt e fundit dhe se sa eficent ishte Parlamenti pa votat e socialistëve
Eduard Halimi: PS s’kishte kundërshtim ndaj ligjeve, kryetari s’i linte të votoninUnë e kam thënë dhe herë tjetër, se Kushtetuta jonë është e vetmja në të paktën 10 kushtetutat e vendeve anëtare të BE-së që ka parashikuar institute bllokuese në procesin e miratimit të ligjeve me 3/5 të votave. Të gjitha pa përjashtim i kanë lënë të drejtë mazhorancës së thjeshtë qeverisëse të miratojë ligje, me përjashtim të ligjit elektoral, disa, apo emërimit të Avokatit të Popullit disa të tjerë. Kam lexuar me vëmendje dhe diskutimet gjatë hartimit të këtij nenin në 1998, dhe arsyet e "baballarëve" të Kushtetutës janë vërtet shumë naive, e jam i bindur se edhe ata vetë kur i lexojnë tani u vjen për të qeshur. Mazhoranca që merr përgjegjësinë për të qeverisur vendin, duhet të ketë gjithë pushtetin për të realizuar reformat e veta dhe është naive të mendosh se qëndrimi frenues i opozitës është pozitiv për vendin. A keni dëgjuar ju, qoftë edhe një paragraf, një fjalë, një germë që opozita të mos jetë dakord me përmbajtjen e ligjeve, për shembull për gjykatën administrative? Jo, zero. Nuk kanë asnjë kundërshtim, përveç faktit se nuk duan ta votojnë, duke shpresuar se qëndrimi i tyre bllokues do të krijojë një krizë. Ata vijnë në Parlament dhe nuk e ushtrojnë dot mandatin e tyre, pasi nuk i lejon kryetari të votojnë. Ata vijnë në Parlament dhe nuk e ushtrojnë dot mandatin e deputetit që populli opozitar u ka dhënë, pasi nuk i lejon një mandat detyrues, që është ai i kryetarit. Dhe ky qëndrim i tyre, duke mos votuar asgjë, përfshi dhe ligjet me 84 vota, jo vetëm është në kundërshtim të plotë me vullnetin e sovranit, por është në kundërshtim të plotë dhe me nenin 70 të Kushtetutës. E vetmja rrugë për të arritur kompromisin është Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi, dhe kthimi i opozitës te përgjegjshmëria për votat e popullit opozitar, gjë që duket larg, me qëndrimin tërësisht naiv të liderit të PS-së.
Ligjet me 84 vota, siç është ai i Gjykatës Administrative, nuk janë ligje që u shërbejnë votuesve demokratë, as PD-së, ato janë ligje që u shërbejnë shqiptareve të majtë e të djathtë, atyre që paguajnë taksat me djersë e me gjak, që ne deputetët e djathtë e të majtë të marrim rrogat. E të shpërdorosh taksat e shqiptarëve duke mos votuar në Parlament, duke mos respektuar të drejtën e votuesve për të pasur një gjykatë administrative, është jo vetëm e pafalshme, por mbi të gjitha kriminale për votuesit taksapagues shqiptarë. Kjo tregon se sa e nevojshme është edhe një reformë kushtuese për veprimtarinë parlamentare, e njëjtë me atë të vitit 2008.
2. Ky është Parlamenti i shqiptarëve. Populli donte të kishte këtë Parlament që ka dhe po kështu këtë opozitë që ka, sepse këtë dëshironte dhe këtë meriton. Kjo nuk është edhe aq e pëlqyeshme, por është reale. Unë jam i bindur se asnjë votues i majtë nuk do të ishte dakord me qëndrimin jashtë Parlamentit të deputetëve të tyre. Asnjë prej tyre nuk do të ishte dakord që deputetët, në vend që të bënin ligje, bënin agjërim, apo bllokonin rrugë. Por në të vërtetë, ajo që ndodhi në Parlament me procesin legjislativ ishte për t’u përshëndetur. Një proces që miratoi reforma të rëndësishme për vendin, kujtoj këtu reformat në fushën e arsimit, reformat në fushën e luftës ndaj krimit të organizuar, me ligjin antimafia, reformat në fushën fiskale dhe luftën ndaj korrupsionit, forcimit të shtetit të së drejtës, me ligjin për policinë gjyqësore etj.
Deputetët e koalicionit kanë treguar një përgjegjshmëri të lartë dhe disiplinë për t’u përshëndetur, pasi nuk mbahet mend edhe në legjislatura të tjera që Parlamenti të ketë miratuar kaq shumë ligje dhe me një shumicë të tillë absolute, me mbi 70 vota. Ka qenë një organizim perfekt i grupit parlamentar, i cili me përgjegjshmërinë e vet tregoi jo vetëm një impenjim dhe vlerësim të madh ndaj votës së qytetarëve, por në fund të fundit e detyroi dhe opozitën të hyjë në Parlament, pasi "strategjia" e saj naive për të bllokuar dhe krijuar krizë institucionale nëpërmjet bojkotit ishte e dështuar. Ndaj dhe unë mund të them pa rezerva se ky sesion ka qenë i rëndësishëm për gjithë procesin e miratimit të ligjeve, edhe pse përpjekjet e opozitës për të spostuar vëmendjen në politikën e rrugës, ashtu siç e dini, rezultuan të dështuara.
Viktor Gumi: Ata që refuzuan t’i miratonin ligjet, kanë një borxh politik dhe juridik1. Kushtetuta jonë manifeston dhe mbron qëllimin se rregullimi i disa institucioneve themelore dhe në disa raste kryesore – kryesisht të drejta politike dhe civile - duhet të realizohet me një konsensus të gjerë. Gjithsesi, një interpretim i cili përjashton shumicën e thjeshtë nga mundësia për të rregulluar çështje në lidhje me të drejtat themelore në fjalë- jashtë qëllimit të çështjeve konceptuale që janë me 3/5- në përputhje me konceptin e vet politik, për shembull mundësinë e rregullimit të zbatimit të tyre, ndërtimit të garancive të mëtejshme dhe rregullime për realizimin e disa kushteve të caktuara sipas koncepteve të veta, do të jetë në kundërshtim me substancën e parlamentarizmit. Thelbi i sistemit kushtetues dhe hierarkisë së cilësuar në miratimin e disa ligjeve apo marrjen e disa vendimeve në Shqipëri nuk është “lëshimi reciprok i palëve” brenda apo jashtë konceptit të pazarit, përkundrazi, rëndësia që ato kanë për jetën e shtetit dhe individit, e kërkon një garanci të tillë thjesht dhe vetëm mbi baza juridike. Në këtë rast, dhe veçanërisht kur qëndrimi shoqërohet me mungesë argumentesh juridike, siç mund të jetë për shembull projektligji i Gjykatës Administrative, koncepti rregullator kushtetues vuan kufizime të pajustifikueshme dhe për pasojë pala kundërshtuese ka “borxh politik dhe juridik” para opinionit publik.
2. Efektiviteti i vendimmarrjes së trupës legjislative është një koncept shumëdimensional. Unë vlerësoj se autonomia e legjislaturës në marrëdhëniet me institucionet e tjera politike, kapaciteti i saj për të ushtruar dhe realizuar mbikëqyrjen administrative, aftësia për të formuluar dhe për të miratuar legjislacion të rëndësishëm për fatet e vendit, shkalla e përfaqësimit të interesit demokratik dhe përgjegjshmëria përbëjnë edhe dimensionet kryesore të këtij koncepti. Në të gjitha këto aspekte, bilanci i Kuvendit të Shqipërisë është pozitiv, me aksione konkrete legjislative për secilën fushë të përmendur më lart dhe natyrisht statistika parlamentare është një armë që e justifikon një pohim të tillë.
Nasip Naço: I kemi dhënë çdo mundësi opozitës për të qenë aktive në Kuvend1. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ne si një forcë e majtë pranuam që për të pasur stabilitet ekonomik dhe politik dhe për integrimin e vendit dhe liberalizimin e vizave, të bënim koalicion me PD-në. Natyrisht me këtë koalicion nuk u pajtua lidershipi i PS-së, i cili gjatë këtyre muajve, në emër të transparencës së votës, bojkotoi për mbi 6 muaj Kuvendin e Shqipërisë, si dhe kaloi në një fazë më të avancuar se bojkoti me protesta dhe greva, vetëm e vetëm për të mos lejuar funksionimin normal të Kuvendit, duke justifikuar para anëtarëve dhe simpatizantëve humbjen e zgjedhjeve.
Me miratimin e Kushtetutës së vitit 1998 është parashikuar që një pjesë e mirë e ligjeve në Kuvend të kalojnë me shumicë të cilësuar, që do të thotë se edhe opozita duhet të marrë përgjegjësi për miratimin e këtyre ligjeve dhe qeverisjen e vendit. Në emër të transparencës së votës, opozita ka mbajtur peng miratimin e Gjykatës Administrative, Kodin Penal, Kodin Detar, Kodin Ajror, Kodin Rrugor etj., të cilët po të ishin miratuar, padyshim do të shërbenin më mirë për një funksionim normal të shtetit shqiptar, do ta përafronin legjislacionin tonë me atë europian dhe do të ndikonin ndjeshëm për liberalizimin e vizave të mirëpritura nga të gjithë shqiptarët. Nga kjo mazhorancë janë bërë të gjitha përpjekjet e duhura, duke i dhënë opozitës edhe mundësinë për të kryesuar komisionet përkatëse, duke bërë edhe ndryshimet e nevojshme në këto projektligje dhe opozita natyrisht të merrte para gjithë shqiptarëve meritat për vlerësimin dhe bashkëpunimin.
2. Gjatë këtij sesioni, Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse nuk ka marrë pjesë opozita bojkotuese dhe protestuese, ka vlerësuar dhe kaluar në grupet e punës në komisionet përkatëse dhe janë miratuar në Kuvend rreth 122 projektligje, rreth 37 vendime të Kuvendit dhe mbi 6 interpelanca të ministrave të këtij kabineti. Natyrisht, ardhja në muajt e fundit në Kuvend dhe komisione të deputetëve të PS-së i kanë dhënë Kuvendit atë që i ka munguar prej muajsh, opozitën dhe vlerat e tyre intelektuale morale dhe profesionale. Unë, duke përfituar nga rasti, dua t’i kujtoj opozitës, se në vendet demokratike, në rrugë protestat bëhen vetëm nga sindikatat, ndërsa opozita, si një pjesë e çmuar e një vendi, e ka vendin e vet në Kuvend, ku shumë mirë mund të ushtrojë funksionet e veta demokratike dhe të bëjë oponencën e vet deri edhe te komisionet hetimore, tek interpelancat, apo edhe mocionet.
Enkelejd Alibeaj: U treguam të përulur ndaj PS-së. Ata kurrë nuk paraqitën ndonjë nismë1. Nuk është i vërtetë konstatimi që është ndjerë ndonjë “krizë”. Kjo, e kuptuar në aspektin e procesit legjislativ të Kuvendit. Ligjet e thjeshta janë miratuar, e madje në cilësinë e kërkuar dhe në kohën e duhur. Kini parasysh që janë pikërisht këto ligje ato që shprehin në mënyrë më energjike realizimin e atij që quhet program qeverisës i mazhorancës parlamentare. është e vërtetë se kartonët e opozitës nuk u përdorën prej saj, në të mirë të procesit legjislativ me 84 vota, si përmbushje e detyrimit politik të saj ndaj zgjedhësve të saj, por kjo është strategji e zgjedhur prej tyre. E gabuar, sipas mendimit tim. Do të kishte problem vërtet, nëse mosmiratimi i këtyre ligjeve do të ishte për arsye politike, dhe jo për “çartje të politikës”. Nuk arrij të kuptoj se çfarë mesazhi japin kartonët e opozitës me mosmiratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, të ligjit për heqjen e imunitetit ndaj korrupsionit, të miratimit të dispozitave të Kodit Civil apo Penal, apo për luftën ndaj korrupsionit e të tjera si këto. Nëse fjala “krizë” mund të përdoret, ajo ka vend pikërisht për humbjen e kësaj “busulle” të arsyes politike të opozitës. Mazhoranca, nga ana e saj, ka ofruar jo vetëm zgjidhje ligjore për kërkesat e saj, por edhe zgjidhje politike. I kemi thënë që jemi të gatshëm të zbatojmë çdo lloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese apo Komisionit të Venecias për pyetjet që opozita do duhej t’u drejtonte atyre. Përvuajtje, përulësi dhe seriozitet maksimal kemi treguar në çdo kërkesë të opozitës, edhe kur ato kërkesa ishin qesharake. U qëndrojmë të gjitha këtyre pohimeve dhe do miratojmë çdo ligj bazuar në to.
2. Mjafton të shihen statistikat. Sesioni i parë, prej datës 16 shtator 2009 e deri në datën 23 dhjetor 2009, ka njohur miratimin e plot 69 ligjeve. Sesioni i dytë, pra që nga data 21 janar e deri në datën e fundit 26 korrik, ka njohur miratimin e plot 170 ligjeve. Pra në total 239 ligje. E të mos harrojmë këtu veprimtarinë e komisioneve përkatëse në lidhje me monitorimin e institucioneve të pavarura, të vendimeve të Kuvendit, të procedurave të emërimit në funksionet kushtetuese, të kontrollit parlamentar etj. Një veprimtari kaq “pjellore” flet vetë për eficencë dhe bilanc më se pozitiv. Monokromatik nuk ka qenë debatinë Parlament, i cili ka njohur përmbajtje ideore, për shkak edhe të cilësive të larta profesionale që përfaqësuesit e mazhorancës mbartin, por ai politik. Kjo sepse përfaqësuesit e minorancës, kurrë nuk e panë veten si ligjbërës, si funksionarë politikë që programin e tyre partiak e shpalosin me nisma ligjore, por si disa kritizerë të paarsyeshëm dhe aspak njohës të realitetit social e politik, të krekosur mbi foltoren mediatike të selisë së PS-së. Asnjëherë të vetme ata nuk paraqitën një ligj apo një nismë të çfarëdolloji, si pasqyrim të ideve të tyre qeverisëse. E ky është as më shumë e as më pak, po vetë mjerimi i opozitarizmit parlamentar. Shpresoj që stina e re kuvendore të sjellë përmirësim të kësaj metode jocivile sjelljeje politike.
#