Kodi, agjenda e komisionit vetëm për dekretin e Topit
LSI-ja dhe PDK-ja tentojnë sërish. Fusin amendamente për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Por ekspertët ngarkohen për TopinTIRANË- Konstituohet për herë të dytë komisioni i posaçëm për reformën në Kodin Zgjedhor. Pasi përfundoi një herë së hartuari ligjin zgjedhor, dje, i njëjti komision, sipas edhe vendimit të seancës së fundit plenare, është detyruar të rimblidhet për të shqyrtuar kësaj radhe dekretin e Presidentit të Republikës po për këtë ligj. Mbledhja e parë e komisionit ka shërbyer për nisjen e procedurës së marrjes në diskutim të këtij dekreti, ndërsa i është vënë në dispozicion grupit të ekspertëve, të cilët dhe punuan për hartimin e draftit fillestar. Gjithashtu, komisioni ka ngarkuar grupin e ekspertëve që të vlerësojë mundësinë dhe mënyrën e ndërhyrjes në Kod për të rregulluar afatet ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve, sipas vërejtjeve të bëra nga kreu i shtetit. Gjatë mbledhjes së djeshme, është përcaktuar se objekt i punës së këtij komisioni do të jetë vetëm rregullimi ligjor i afatit kushtetues për shpalljen e datës së zgjedhjeve, e cila siç edhe konfirmohet nga burime pranë këtij komisioni, është menduar të bëhet nëpërmjet një amendamenti në kapitullin e dispozitave kalimtare. Pavarësisht se objekti i punës në raste të tilla është i përcaktuar nga vetë rregullorja e Kuvendit, komisioni ka qenë i detyruar të ngarkojë grupin e ekspertëve edhe për shqyrtimin e propozimeve që janë paraqitur dje nga përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho dhe ai i PDK-së, Ndue Shpani. Propozimet e bëra prej tyre, konstatonin si edhe më parë në një sërë ndërhyrjesh në nenet që përcaktojnë përbërjen dhe zgjedhjen e KQZ-së dhe KZAZ-ve. Sipas propozimit të paraqitur nga LSI-ja, synohet që tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare. E njëjta formulë përcaktohet edhe për zgjedhjen e anëtarëve të KZAZ-ve. Ndërsa një propozim tjetër i saj, është bërë edhe për ndryshimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet mënyra e ndarjes së mandateve brenda një koalicioni. Edhe propozimet e PDK-së kanë pasur pothuajse të njëjtën përmbajtje me ato të bëra edhe nga LSI-ja. Por, nga të njëjtat burime mësohet se kalimi i këtyre propozimeve për vlerësim grupit të ekspertëve, nuk do të thotë domosdoshmërisht hapja e debatit edhe për ndryshimin e neneve të tjera të kodit, përveç atyre që kanë të bëjnë me objektin e dekretit të Presidentit.