E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nuk e nënshkrova Deklaratën e Pavarësisë



Më datën 20.02.2009 në “Kohavizion” (KTV) është emituar emisioni “Konfron”. Në emision ishin ftuar disa mysafirë si ideatorë të një nisme të mirë artistike për Ditën e Pavarësisë. Ndër ta, edhe ideatori kryesor për ta shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës me Kaligrafi Artistike në Pergamenë. Drejtori i Muzeut të Kosovës, z. Arbër Hadri, duke biseduar se kujt i është ofruar për ta shkruar Deklaratën e Pavarësisë në Pergamenë, tha është përmendur edhe emri im, prof. Agim Salihu.

Z. Arbër Hadri nuk e ka thënë plotësisht të vërtetën, se në bisedë me mua ka kërkuar që Deklarata e Pavarësisë me kaligrafi të shkruhet në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe në gjuhën serbe, gjë që z. Arbër Hadri nuk e kishte thënë në emisionin “Konfron”. Kishte deklaruar se i kam kërkuar shtatë ditë për ta shkruar Deklaratën e Pavarësisë, gjë që është e vërtetë, por në tri gjuhë e jo vetëm në gjuhën shqipe. Kur e kam kërkuar tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, më është thënë se ky tekst mund të jepet vetëm disa orë para shpalljes së Pavarësisë. Unë menjëherë e kam refuzuar ofertën, duke thënë se kjo nuk mjafton dhe është e pamundur që një deklaratë me aq rëndësi të shkruhet në tri gjuhë me kaligrafi artistike për 8 apo 12 orë. Z. Arbër Hadri prapë ka insistuar që ta pranojë ofertën e refuzuar, duke i thënë se nuk mjafton koha që të bëhet një kaligrafi e pastër artistike me raporte, kompozicion, stil dhe dimension adekuat, për t’i përzgjedhur shembujt më të bukur të kaligrafisë latine me iniciale dhe versale adekuate. Pra, jo duke marrë shembuj nga ekzemplarët “Surrogat” në ambalazhe të stilografëve serikë për kaligrafi. Sa për informim: materiali që është ofruar për shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, nuk është material special siç është deklaruar javë të tëra përmes mjeteve të informimit. Pergamena nuk është 3000-vjeçare, mund blihet në çdo dyqan të specializuar për material artistik në shtetet perëndimore. Ndërsa kaligrafët (stilografët për kaligrafi) dhe ngjyrat nuk janë speciale, janë të prodhimit serik. Të njëjtat mund të blihen dhe në Prishtinë, në dyqanin “Talens” në rrugën e Vellushës, me çmim prej 8-12 euro, ngjyra 1 euro me disa patrona.

Nuk desha të polemizoj. Puna ime është të krijoj. Për hir të së vërtetës e bëra këtë demant.

Prof. Agim Salihu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›