E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotet zona turistike e Currilave



Prej disa vitesh, në zonën nga Vila e Zogut e deri në Currila përgjatë kreshtës kodrinore janë vendosur me dhjetëra familje nga zona të ndryshme të vendit. Atje kanë ndërtuar pa leje që nga fillimi i viteve ’90. Ajo pjesë është ndoshta më piktoreskja, pasi poshtë kodrave ndodhet vija bregdetare. Depozitimi i plehrave ka vite që zbatohet, mbetjet janë shtrirë nëpër shtigjet e hapura prej rrëkeve të ujit, sa herë bien shirat e dimrit. Banorët e Durrësit, të cilët e frekuentojnë dendur këtë zonë, si në verë ashtu dhe në dimër, janë shprehur të shqetësuar për ndotjen që ka pësuar kjo pjesë e qytetit. Një pjesë e durrsakëve gjuan peshk, të tjerë vijnë për të bërë xhiron e ditës apo për të luajtur sport e një pjesë tjetër frekuenton lokalet e ngritura buzë detit. Por vetëm disa metra mbi vijën bregdetare ndodhen masivet me plehra të cilat me këtë ritëm akumulimi së shpejti do të pushtojnë rrugën. Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit ka vendosur kazanë edhe lart në kodra, por banorët e kanë më të lehtë hedhjen e tyre nga lart poshtë. Deri tani asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar me gjobë për ndotjen që i ka shkaktuar mjedisit në zonën më piktoreske të Durrësit dhe kjo ngjet në një kohë kur kërkohet depozitimi i klasifikuar i plehrave, gjë që nënkupton ndarjen veç të qelqurinave, kanaçeve, letrës nga mbetjet ushqimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›