Kodi i Manastirit dhe problemet sot
Simpoziumi Ndërkombëtar kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe që organizohet në Mynih më 7-8 nëntor, është për Prof. Dr. Bardhyl Demirajn, një nga iniciatorët e këtij tubimi kulturor-shkencor, një rast për të debatuar problematikën e realitetit të sotëm gjuhësor. Pjesëmarrësit, albanologë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Gjermania, Italia dhe Franca i referohen në diskutimet e tyre debatit mbi normën e sotme gjuhësore dhe “riaktivizimit të gegënishtes letrare në shtypin dhe masmediat shqiptare”, siç thekson prof. dr Demiraj në këtë intervistë.
Ky është edhe Tubimi i 3-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman që Dega e Albanologjisë pranë Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut e organizon këtë herë në bashkëpunim me Asociacionin Shqiptar për Kulturë dhe Integrim.
Përse në 100- vjetorin e tij Kongresi i Manastirit shihet nga gjuhëtarët si sfidë mes traditës dhe risisë në kulturën shqiptare?
Simpoziumi shkencor, i cili këtë radhë i përkushtohet Kongresit të Manastirit në vitin e tij jubilar, përbën sigurisht aktivitetin qendror të tubimit. Gjithsesi më lejoni të theksoj fillimisht edhe dy aktivitete të tjera që zhvillohen në kuadrin e këtij tubimi, siç është hapja e ekspozitës fotografike me po këtë temë e me autorësi fotografen e mirënjohur Mimoza Veliu, e cila para jo më shumë se dy muaj ngadhënjeu çmimin “Gjon Mili”, si edhe prezantimi i Rrjetit Ndërkombëtar të Albanologjisë (INA) prej drejtorit ekzekutiv të tij, Elton Prifti MA.
Duke u kthyer tani te pyetja juaj, mund t’ju rrëfej që në fillim se ideja për ta syzuar këtë ngjarje madhore në historinë e kulturës shqiptare si sfidë mes traditës dhe risisë u ngjiz dhe u formësua që në mbledhjet e para të grupit të punës. Për orientim na mjaftoi fakti që Kongresi i Manastirit, për vetë emrin që ruan, është tubimi i parë albanologjik në hapësirën kompakte shqipfolëse, që bashkoi në një auditor rrethe të ndryshme intelektuale shqiptare të kohës, të cilët përsiatën, u rrekën, përpiluan dhe – aspak për t’u çuditur – morën në unison një vendim që përcjell prej më se një shekulli një vlerë universale në kulturën e shkrimit shqip, pikërisht alfabetin e gjuhës shqipe, që pranohet si i tillë kudo në botën shqiptare. Sigurisht që asgjë nuk u sajua apo u shpik në këtë kuvend nga e para. Është pikërisht roli i tij në ruajtjen e traditës dhe guximin e risisë në kulturën e shkrimit shqip që e ka shndërruar atë në një ngjarje madhore në historinë e lëvrimit të shkrimit shqip dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Ku rrahin diskutimet e pjesëmarrësve gjuhëtarë?
Simpoziumi sikurse i gjithë tubimi është konceptuar në radhë të parë si një homazh ndaj Kongresit të Manastirit në vitin e tij jubilar, por jo patjetër si akt ceremonial, ku të shkruhen penelata dhe të thuren ditirambe për këtë ngjarje apo pjesëmarrësit në të. Ne nuk i kemi as mundësitë dhe as mjetet por as edhe dëshirën për aktivitete të kësaj natyre. Për më tepër jemi të bindur se i përgjigjemi dëshirës së kongresistëve, në rast se u mbetemi besnikë parametrave që kërkon një tubim i mirëfilltë shkencor. Në qerthullin tematik që ofrohet në simpoziumin albanologjik janë marrë parasysh zhvillimet e fundit të debatit intelektual albanologjik mbi përmirësimin në vazhdimësi të normës së sotme gjuhësore, të riaktivizimit të gegënishtes letrare në shtypin dhe masmediat shqiptare, të traditës dhe risive që kushtëzuan formëzimin dhe miratimin e kodit të Alfabetit të Manastirit si edhe problemet që po përjeton ky kod sot në kushtet e zhvillimit të fuqishëm të teknologjisë kompjuterike dhe të sistemeve virtuale në internet. Shpresojmë që këto aspekte të kulturës së shkrimit shqip në kohën tonë do të gjejnë përkrahjen e duhur edhe ndër pjesëmarrësit aktivë dhe vizitorët e këtij tubimi.
Një javë pas tubimit tuaj, një tjetër mbahet në Manastir. Përse ky "veçim" nga ana juaj?
Unë personalisht – dhe mendoj se kështu nuk ndesh as në kundërshtimin e kolegëve të mi – nuk e shikoj këtë ndërmarrje tonën si veçim. Duke dashur të mënjanoj ndonjë broçkull bajate të tipit “diversitet” që e përdorin gjithnjë e më shpesh korifenjtë e pagdhendur të politikës shqiptare, mund të mëtoj këtu për një pasurim të debatit intelektual dhe të atij albanologjik, i cili gjëllin në kohën tonë i rrjetëzuar në shumë qendra kërkimore-universitare.
Mendoni se ekzistojnë tabu sot rreth ngjarjes që vendosi për alfabetin e shqiptarëve?
Mund të them se kodi alfabetik që u miratua në Kongresin të Manastirit ishte një ngjarje reale që gëzon sot e gjithë ditën statusin e simboleve kombëtare. Dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që, kur për një arsye apo një tjetër cënohen simbolet e kombit, atëherë bëhet i pranishëm edhe rreziku i tabuizimit, si proces më fort irracional që përfshin sipas rastit shtresa të caktuara sociale apo gjithë kombin. Nuk di nëse kam të drejtë, po të sjell për krahasim debatet mbi flamurin kombëtar dikur në Shqipëri dhe në Kosovë. Por sa i përket kodit të sotëm alfabetik të shqipes, rreziku i tabuizimit të vendimeve të Kongresit është bërë ndërkohë i pranishëm, meqë kultura e shkrimit shqip po përjeton trysninë e fortë të zhvillimeve marramendëse në teknologjinë kompjuterike dhe në botën e internetit, ndërkohë që debati intelektual shqiptar është përqendruar kryesisht në problemet e normës drejtshkrimore dhe të shqipes standarde.
Së fundi thuhet shpesh që Kongresi i Manastirit vendosi edhe për kahjen e shqiptarëve drejt Perëndimit. A ka vend për diskutim kjo?
Besoj që jo dhe uroj të jetë kështu. Alfabeti i Kongresit të Manastirit mund dhe duhet të vështrohet më fort si sendërtim i suksesshëm i programit kulturor-ideologjik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për të cilën – në rast se lejohem të përdor një varg të Naimit – “dielli lind andej nga perëndon.”. Ishte e gjithë kjo lëvizje intelektuale e zgjimit kombëtar që orientoi pak a shumë zhvillimet e mëvonshme shoqërore-kulturore dhe politike shqiptare. Të mos harrojmë që Kongresi i Manastirit mundësoi edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, i cili nuk pati jetëgjatësi dhe u përvodh shpejt nga përdorimi.
Referati juaj "Shkronja "ë" në sfondin e saj kulturor historik" me çfarë na njeh konkretisht?
Është pikërisht kjo shkronjë me ato dy pikat sipër, që i jep alfabetit tonë një kolorit të veçantë e që gjëllin në gjuhën e shkruar me një denduri aq të lartë e në çdo pozicion, çka parakupton gjithherë përqendrim të plotë për të shkruar bukur e pastër. Të gjithë ne si shqipshkrues jemi më se të ndërgjegjshëm për faktin se sa shumë mund të na kushtojë zvjerdhja sadopak e vëmendjes, kur duam të hedhim në letër një mendim shqip; dhe është paradoks i fatit, që bash në kushtet e sotme të teknikës kompjuterike, pak gjë e ka përmirësuar gjendjen në këtë pikë, apo – thënë ndryshe – në këto dy pika “të mallkuara”.
Referimi im përcjell dy synime: së pari, historikun e përdorimit të kësaj shkronje që na çon në gjysmën e parë të shek. XVIII në një vepër të mbetur deri vonë në dorëshkrim e me autor apostullin e arbëreshëve të Sicilisë, At Gjergj Guxetën, i cili në këtë kuadër përpilon edhe norma të reja të drejtshkrimit të shqipes, duke gjetur si të përshtatshëm gërshetimin e parimit fonetik me atë historik. Një rrethanë paralele ndeshim edhe sot në drejtshkrimin e shqipes standarde, ku shkrimi i zanores nuk i përgjigjet më realitetit gjuhësor në shqipen e folur. A do të vazhdojmë edhe në të ardhmen kështu, duke vijuar traditën deri sot pak të njohur shqiptare-arbëreshe, apo do ta “përmirësojmë” më tej këtë traditë? Ky synim i dytë i referimit tim ngërthen në vetvete qerthullin problematik që do të përfshihet në debatin albanologjik që mundëson simpoziumi ynë, të cilin ia përkushtojmë në këtë mënyrë Kongresit të Manastirit në 100-vjetorin e tij.
Ju faleminderit.