E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëmtia e qytetit sipas Brechtit

Premiera “Poshtepërpjetat e dashurisë” sonte në Teatrin Kombëtar. Qyteti misterioz dhe i shëmtuar i Brecht-it me banditë dhe prostituta, në frymën e komedisë vodeviliane, nën regjinë e Ema Andreas

Krijimtaria artistike e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht, i famshëm edhe për kontributin në krijimin dhe formimin e “teatrit epik”, preket sonte në komedinë muzikore “Poshtepërpjetat e dashurisë”, me muzikë të kompozitorit Kurt Weill.

Vepra e përkthyer nga Ardian Klosi, me regjinë e Ema Adreas, sjell në skenën e Teatrit Kombëtar dashurinë dhe krimet e qytetit fantazmë të Londrës së shekullit të XVIII-të, me lojën e aktorëve Arben Derhemi, Loredana Gjeçi, Vasillaq Vangjeli, Yllka Mujo, Taulant Jupi, etj.

Komedia satirike “Poshtëpërpjetat e dashurisë” shkëputur nga drama “Opera për 3 groshë”, në kohën kur u shkrua, vitet 20-të, mori famë në opera dhe teatër për karakterin novativ dhe tendencën e krijimit të teatrit muzikor. Ajo ironizon dashurinë, krimin, korrupsionin e personazheve simbol të hedhur në skenë me një identitet të rremë.

“Koncepti regjisorial është bazuar në lojën e teatrit në teatër”, shprehet Andrea. “Për realizimin e shfaqjes janë përdorur elementë të pastër, të cilët flasin në mënyrë direkte, duke krijuar një harmoni me këngën dhe poezitë e sinqerta të dashurisë”.

E bindur se thjeshtësia e paraqitjes së personazheve ndihmon për të komunikuar sa më hapur dhe thjesht, thekson se janë këto elementë të cilët do arrijnë të plotësojnë atë që vetë autori ka prezantuar në vepër.

“Kemi punuar shumë me formën dhe tingullin si rrjedhojë e një analize të thellë të tekstit të Brecht-it, e cila do të ndihmonte për të ndërtuar urën lidhëse midis aktorit dhe spektatorit, argëtimit dhe të nxënit”.

Vetëm disa orë para shfaqjes, regjisorja nuk heq dorë që ta quajë pjesë mjaft të vështirë, të bukur, lodhëse dhe i vjen mirë që po ia përcjell spektatorit në këtë formë “sepse kisha shumë gjëra për t’i thënë”, përfundon ajo.

Protagonisti, aktori Arben Derhemi, në rolin e Mek Thikës, bos i mafies dhe përgjegjës i shumë krimeve në Londër, ka për të shfaqur edhe një anë sentimentale në momentin kur dashurohet me Polin, vajzën e drejtuesit të një biznesi të pazakontë, bosin e të varfërve.

Nën petkat e kriminelit të Londrës, aktori thotë se personazhi i tij është një nga më të bukurit e dramaturgjisë botërore, qesharak, por i trajtuar në mënyrë groteske me gjithë përmasat që mbajnë karakterin e tij. “Meku mund të jetë kriminel, bankier, deputet, si një sajesë që ndodh rëndom në çdo vend, ku fajtori për krime jo vetëm që nuk dënohet, por lirohet dhe shihet si hero”, shton Derhemi i cili nuk ka dalë akoma nga “hija” e Menelaut tek “Trojanet” e Euripidit që vazhdon të shfaqet në Teatrin Kombëtar.

Ai vlerëson faktin që tek kjo shfaqje koncepti regjisorial është bashkërenduar me modelin e interpretimit klasik të ndërthurur me grotesk.

Ajo çka kërkon t’i transmetojë aktori publikut, është imazhi i kriminelit londinez, i cili, edhe pse në monologun e tij të fundit vetëshpallet fajtor, deklaron se krimet që ka bërë ishin akte të detyruar që imponohen nga shoqëria.

Pjesa është trajtuar duke evidentuar anën më romantike të komedisë, por që merr spunto dhe duke iu referuar karakterit kriminal të personazhit, për të mos dalë nga korniza që nxjerr në pah natyralizmin e autorit të tekstit.

Ndërsa Tiger Broën, sherif i korruptuar londinez, përfaqësues i ligjit dhe i luftës së krimit të organizuar, njëkohësisht dhe miku më i mirë i fëmijërisë së Mek Thikës, vjen i interpretuar nga aktori Vasillaq Vangjeli, i larguar prej vitesh nga skena e varietesë.

Për Vangjelin kjo komedi e mirëfilltë e ndërthurur me poezi dhe këngë, ngjason pak me atë që aktori e quan komedi vodviliane dhe vendosja në skenë e kësaj cope do justifikonte shijet e Brecht-it, nëse ai do ishte gjallë gjithmonë.

Paraqitja skenike e projektuar nga Gëzim Qëndro, është e pasur me detaje dhe elementë që harmonizohen me mizanskenat për t’i dhënë hapësirë konceptit regjisorial.

Në bashkëpunim me regjisoren, Qëndro ka krijuar një skelet të thjeshtë me elementë përcaktues “siç mund të transmetojnë tubat e ujërave të zeza që evidentojnë klasën më të ulët të shoqërisë, por që është po ky element që bie në kundërshtim me veshjet shik të personazheve.”

Kontrasti është i dukshëm dhe paralelizmi i krijuar konverton skenën teatrore në qytetin misterioz, të çuditshëm, të shëmtuar dhe nganjëherë kapriçoz, i cili ridimensionon Londrën e shekullit të XVIII-të. Kjo e fundit ka për të kënduar live, nën drejtimin e Gentian Rushit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›