“Modem”, në pranga 16 persona, klononin kartat e televizioneve
Disa prej të arrestuarve merreshin me klonimin e kartave, ndërkohë që më pas ata i shpërndanin në pika të caktuara, nga ku ato hidheshin në shitje
Në sajë të aftësive të tyre me kompjuterin, kishin arritur që të gjenin një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për të fituar para. Por “rrengu” i tyre është zbuluar nga agjentët e policisë, të cilët organizuan një operacion në kryeqytet dhe disa rrethe të vendit, ku vunë në pranga 16 persona. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë së qarqeve Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë, të koordinuara me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme, u organizua me sukses operacioni i koduar “Modem”, ku u ndaluan 16 persona të akuzuar për “mashtrim kompjuterik të kryer në bashkëpunim”. Sipas policisë, operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet do të vazhdojë në ditët në vazhdim. Të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, ndërsa do t’i nënshtrohen procesit hetimor.
Hetimet
Në muajin nëntor të vitit të kaluar në policinë e Tiranës u krye një kallëzim se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate dhe karta “dixhitale” të riprogramuara dhe të klonuara. Agjentët e policisë, nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Tiranës, nisën menjëherë nga puna. Ata fillimisht mundësuan identifikimin e disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit. Sipas burimeve nga policia, personat e përfshirë në këtë aktivitet, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive, si “Tring”, “Dixhitalb”, “Premier Leauge”, “Sky”, “Nova”, si dhe paketa të aktivitete sportive të ndryshme. Dyshohet se personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë klonuar dhe shitur qytetarëve karta të televizioneve dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre merreshin me klonimin e kartave, ndërkohë që më pas ata i shpërndanin në pika të caktuara, nga ku ato hidheshin në shitje. Sipas policisë, kjo gjë realizohej nëpërmjet aparateve kompjuterike dhe aftësive të të arrestuarve, të cilët pasi dekodifikonin sinjalin, i shisnin programet e këtyre paketave dixhitale nga 200 deri në 350 euro.
Operacioni
Pas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të çdo personi për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim, policia e Tiranës në bashkëpunim me ato të qarqeve Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë, të koordinuara me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme organizuan me sukses operacionin e koduar “Modem”, ku vunë në pranga 16 persona. Sipas burimeve nga policia, numri i të shoqëruarve në komisariat në lidhje me këtë rast ishte rreth 50 persona, por 34 prej tyre u lanë të lirë më pas.
Gjykata e Tiranës në datës 16 prill 2009 ka vendosur masën e sigurisë në mungesë “arrest në burg” për 11 persona. Për këtë arsye janë ndaluar shtetasit Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Alfred Kadiu, 30 vjeç, Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Edison Shema, 32 vjeç, Sokol Rafet Shalca, 48 vjeç, dhe Sokol Kadare, 38 vjeç nga Tirana. Gjithashtu u arrestuan Spiro Zguri, 48 vjeç, Dhimitraq Papa, 55 vjeç, Saimir Likollari, 31 vjeç, Marin Palushi, 36 vjeç dhe Ilir Nushi, 32 vjeç lindur dhe banues në Fier. Ndërsa u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë shtetasit Xhaferr Gixharri, 23 vjeç, Artan Priftuli, 44 vjeç, Fatmir Çupi, 32 vjeç, Ilir Dylja, 38 vjeç dhe 42-vjeçari Eduart Koka. Sipas burimeve zyrtare nga policia, gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të shtetasve të lartpërmendur u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 50 copë kompjuterë dhe serverë të markave të ndryshme, 20 “Lap– Top” 1000 copë aparate “dixhitale” të tipave të ndryshme të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum” dhe “Metabox”. Gjithashtu u kapën 500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit dhe 30 copë aparate telefoni celularë. Personat e arrestuar u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit kompjuterit” në bashkëpunim.
Personat e ndaluar
1. Saimir Kuniqi, 55 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
2. Alfred Kadiu, 30 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë
3. Eldi Vorpsi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
4. Edison Shema, 32 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë
5. Sokol Shalca, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
6. Sokol Kadare, 38 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë
7. Spiro Zguri, 48 vjeç, lindur dhe banues në Korçë
8. Dhimitraq Papa, 55 vjeç, lindur dhe banues në Durrës
9. Saimir Likollari, 31 vjeç, lindur dhe banues në Berat
10. Marin Palushi, 36 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër
11. Ilir Nushi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Fier.
Të ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë
1. Xhaferr Gixharri, 23 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë
2. Artan Priftuli, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
3. Fatmir Çupi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
4. Ilir Dylja, 38 vjeç, lindur dhe banues në Durrës
5. Eduart Koka, 42 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë