E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, bllokohet procesi i aplikimit

Procesi i aplikimit për pasaporta biometrike është ndërprerë në disa njësi bashkiake në kryeqytet. Një moskoordinim mes komisariatit të policisë dhe zyrave të aplikimit ka bërë që qytetarët të mos kenë formularin e policisë dhe të mos bëjnë dot as aplikimin. Shumë qytetarë, të cilët kanë shkuar të aplikojnë janë detyruar të kthehen mbrapsht, për shkak se Ministria e Brendshme ka ndryshuar procedurat e aplikimit. Sipas procedurës së re, qytetarët më parë duhet të paraqiten në Komisariatin e Policisë së bashku me dy fotografi, ku do të plotësojnë një formular me të dhënat e tyre. Pasi policia të ketë verifikuar nëse këto të dhëna përputhen me personin që aplikon, atëherë bashkë me një formular, qytetari duhet të shkojë në zyrat e kompanisë “Aleat”, që gjenden pranë çdo minibashkie, për të bërë aplikimin. “Sot shtetasit nuk po aplikojnë për pasaportën biometrike. Ata janë kthyer mbrapsht, sepse të gjithë shtetasit që erdhën këtu ne i çuam në komisariat, në bazë të një udhëzimi, dhe shtetasit që kishin vajtur në komisariat nuk kanë bërë këtë aplikim, sepse komisariatit i ka shkuar udhëzimi i shfuqizuar”, - pohon kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr.5, Jeta Seitaj. Por udhëzimi i ri i Ministrisë së Brendshme për procedurën e re të aplikimit për pasaportat biometrike nuk ka mbërritur në të gjitha njësitë bashkiake, pasi në disa prej tyre aplikohej sipas metodës së vjetër, pa u paraqitur më parë në komisariatin e policisë. Por burime nga Ministria e Brendshme thonë se kjo urdhëresë do të shkojë së shpejti në të gjitha njësitë vendore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›