Fratini nesër në Tiranë, për të konfirmuar heqjen e vizave me BE-në dhe marrjen e statusit kandidat

Liberalizimi i vizave dhe integrimi i Shqipërisë në BE, çështjet kryesore të axhendës së kryediplomatit italian
Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini viziton nesër Tiranën, ku pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit, për të dhënë mesazhin optimist, për procesin e integrimit të vendit në BE. Një nga zyrtarët më të lartë të qeverisë italiane dhe një prej personaliteteve të Bashkimit Evropian, vjen në Shqipëri në një moment tepër deciziv për proceset e integrimit, pak kohë para se Komisioni Evropian, të marrë vendimin për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Fratini pritet të konfirmojë mbështetjen e vendit të tij në këtë proces të rëndësishëm dhe njëherazi premtimin solemn për marrjen statusit kandidat në BE
Fratini do të takohet fillimisht me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta, për të vijuar më tej me kryeministrin Berisha dhe presidentin Bamir Topi.
Faqja zyrtare e ministrisë së Jashtme italiane, shkruan se vizita e Fratinit në Tiranë ka si qëllim edhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, konkretisht me firmosjen e protokollit të ri 3-vjeçar të bashkëpunimit 2010-2012 dhe inaugurimin e programeve të eventeve të bashkëpunimit Itali-Shqipëri, përmes nismës “Dy popuj, një det, një miqësi”. Por gjithashtu kryediplomati italian do të diskutojë edhe për një serë projektesh në fushën e energjisë, si idenë e hedhur shpesh për centralin bërthamor, parku energjetik në Porto Romano, apo linja detare e energjisë mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, njihet si një lobues i fuqishëm i interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për integrimin në Bashkimin Evropian.