Kodi penal, gazetarët kosovarë protestojnë sot para Parlamentit

Gazetarët e Kosovës do të protestojnë sot para godinës së Parlamentit të Kosovës, të indinjuar me miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës, i cili, sipas përfaqësuesve të gazetarëve, cënon lirinë e shprehjes.
“Protesta ka për qëllim kundërshtimin e Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, me anë të të cilit gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe detyrohen që të zbulojnë burimet e tyre", thuhet në deklaratë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar tre ditë më parë Kodin Penal të Republikës së Kosovës, ku Neni 38 kërkon zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, përvetësimi në detyrë, marrja dhe dhënia e ryshfetit.
Kjo ka irrituar Asociacionin Profesionist të Gazetarëve në Kosovë, i cili si organ përfaqësues i gazetarëve kosovarë vlerëson se Kodi Penal i Republikës së Kosovës, siç është votuar nga Kuvendi, përdhunon, shkel dhe pamundëson lirinë e shtypit.
Për AGPK-në, projekt/kodi Penal i sapovotuar nga Kuvendi është një veprim antidemokratik dhe i paparë në asnjë vend me standarde evropiane, të cilat pretendon t`i arrijë Kosova.