E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jam i impresionuar nga transformimet e jashtëzakonshme në Shqipëri”

30-11-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret në një takim Jean-Claude Mignon, Zëvendëspresidentin e Asamblesë së KiE-së dhe kandidatit për President të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës


Në maj të vitit të ardhshëm, Shqipëria merr Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke shënuar kështu një ngjarje historike për vendin. Prioritetet e kësaj presidence dhe në këtë kuadër, bashkëpunimi mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ishin tema kryesore e bisedës mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Zëvendëspresidentit të Asamblesë së KiE-së dhe kandidatit për President të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon. Kryetarja Topalli shprehu kënaqësinë që Presidenca e Shqipërisë, pas 17 vitesh anëtarësimi, përkon edhe me vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Nga ana e tij, Mignon shprehu bindjen se Presidenca e Shqipërisë do të jetë një presidencë dinamike, aktive dhe ambicioze. "Jam i impresionuar nga transformimet e jashtëzakonshme në Shqipëri. Jam shumë i bindur se gjatë presidencës së Shqipërisë, bashkëpunimi për prioritetet dhe objektivat do të jetë shumë i suksesshëm", tha ai. Biseda u ndal në prioritetet e Presidencës shqiptare si pjesë e Platformës së kryesive të Trojkës së Komitetit të Ministrave, duke u fokusuar në: Reformën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; Forcimin e demokracisë lokale; Dialogun ndërkulturor, edukimi ndaj tolerancës, sfidat e të jetuarit së bashku. Në takim u diskutua gjithashtu për veprimtaritë e caktuara për promovimin e vlerave historike e kulturore të kombit tonë. Jozefina Topalli dhe Jean-Claude Mignon biseduan më tej, mbi mundësitë konkrete për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›