Kodi zgjedhor, sot beteja ne parlament

Përfaqësuesit e dy partive të mëdha kanë bërë të ditur se janë gati ta miratojnë kodin në seancën e sotme. Ndërsa zëdhënësi i grevës së urisë, deputeti Dritan Prifti, u ka bërë edhe një thirrje të fundit dy partive të mëdha, që të reflektojnë ndaj kërkesës së bërë nga disa parti të vogla parlamentare.
"I kemi kërkuar PS-së dhe PD-së zyrtarisht me letër dhe gojarisht të bashkëpunojmë për zgjidhjen e krizës, por deri tani nuk kemi asnjë përgjigje. Presim me shpresë që këto forca politike do të ndërgjegjësohen dhe do kontribuojnë për atë që presin të gjithë shqiptarët, një zgjidhje që të garantojë besim, barazi dhe ndershmëri në zgjedhjet e vitit 2009", është shprehur Prifti.
Por kjo deklaratë sërish ka rënë në vesh të shurdhër, pasi dy partitë e mëdha kanë vijuar punën e tyre, duke i dhënë formën përfundimtare Kodit të ri Zgjedhor. Dy ekspertë, përfaqësues të PD-së dhe të PS-së, që janë marrë me hartimin e këtij kodi, kanë zhvilluar pasdite një takim mes tyre, ku kanë rregulluar edhe gjërat e fundit teknike që kishin mbetur para se kodi të kalojë për miratim në sallën e Kuvendit.
Pas këtij takimi, ekspertët kanë mbrojtur edhe njëherë nenet e ndryshuara në kod. Dy ekspertët kanë shpjeguar arsyet se pse kanë vendosur për reduktimin e anëtarëve të KQZ-së nga 9 në 7, ku është marrë për bazë raporti i OSBE-së për zgjedhjet lokale të 2007-ës.
Eksperti i PS-së ka theksuar se "aty flitet qartë për zvogëlimin e numrit të komisioneve, sepse numri i madh i tyre ka sjellë probleme në administrimin e zgjedhjeve". Po kështu, edhe eksperti i PD-së ka theksuar se "shtimi i numrit jo domosdoshmërisht sjell cilësi në vendimmarrje. Ai ka sjellë edhe probleme në administrimin e zgjedhjeve, pasi na duhet një kohë e shkurtër në nxjerrjen e rezultateve, në mënyrë që të ketë stabilitet procesi".
Ekspertët kanë shpjeguar se përse nuk mund të pranohet propozimi i LSI-së që zgjedhjet të administroheshin nga përfaqësues civilë. "Tradita shqiptare ka provuar se ende nuk ka garanci dhe përfaqësim të mjaftueshëm, të paanshëm për të garantuar efikasitetin e komisionerëve", theksojnë ekspertët. Ata premtojnë se do të ketë transparencë, pasi çdo votë do të monitorohet nga kamerat dhe vëzhguesit, të cilët kanë po aq të drejta sa ç‘ka edhe grupi i numërimit të votave.