Kriza, emigrantët janë shtresa më e rrezikuar

Por njëkohësisht pasojat e drejtpërdrejta të atyre që punojnë jashtë vendit do të ndihen edhe në familjet e tyre të lëna pas dhe në ekonominë e vendeve në zhvillim, sic është edhe ajo shqiptare.
Në këto konkluzione kanë arritur drejtues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Ministri italian i Punës, Shëndetit dhe Politikave Sociale, Mauricio Sakoni shprehet se në krizën aktuale ekonomike, emigrantët janë më të rrezikuarit për të humbur vendin e tyre të punës.
Sipas tij, duke qenë të vetëdijshëm se kjo krizë e madhe i kufizon hapësirat e punësimit, duhet të shmangim atë që të sjellim në vendin tonë persona të cilët rrezikojnë papunësinë, duke u marrë me ata që tashmë ndodhen këtu.
Qeveria e vendit fqinj, ku kanë gjetur strehë mbi 402 mijë shqiptarë, ka planifikuar që të reduktojë edhe hyrjet në këtë vend për ata që kërkojnë një punë.
Ndërkohë që përballë një situate të vështirë gjenden edhe emigrantët shqiptarë, të cilët ndodhen në Britaninë e Madhe. E konsideruar si një ndër ekonomitë që ndodhet në qendër të krizës globale, ky vend ka regjistruar vetëm gjatë tre muajve të fundit, një shtim të numrit të të papunëve, me plot 140 mijë veta, duke e çuar shifrën e papunësisë në 1.8 milionë.
Specialistët e ekonomisë në vendin tonë sqarojnë se ndikimi i krizës ekonomike globale në vendin tonë do të ndihet edhe në remitancat e shqiptarëve emigrantë, të cilat deri në fund të vitit pritet të ulen ndjeshëm.