E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Financat, administrata më e korruptuar

Nga Genc Kondi
Sektorët e administratës shtetërore që kanë si detyrë funksionale luftën kundër evazionit fiskal rezultojnëmë të korruptuarit në Shqipëri. Nga raporti më i fundit i KLSh del se 93% e dëmit ekonomik shtetit ia shkaktojnë tatimorët dhe doganierët. 

TIRANE- Sektorët e administratës shtetërore që kanë si detyrë funksionale luftën kundër evazionit fiskal dhe grumbullimin e sa më shumë të ardhurave për Buxhetin, rezultojnë të jenë vetë më të korruptuarit në Shqipëri.
Nga raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me kontrollet e ushtruara në nëntë muajt e këtij viti prej ekipeve të tij, del se 93 për qind të dëmit ekonomik shtetit ia shkaktojnë tatimorët dhe doganierët.
Nga kontrollet e ushtruara, si në organe të pushtetit qendror, ashtu edhe të pushtetit vendor, ka rezultuar dëm ekonomik i shkaktuar shtetit në një masë totale prej mbi 1.7 miliardë lekësh të reja, për çka është ndërmarrë edhe kallëzimi penal për 43 nëpunës të administratës. Këta të fundit, sipas KLSH-së, duhet të zhdëmtojnë shtetin për humbjen e kryer, përveç faktit se po përballen edhe me akuza për shpërdorim të detyrës, që parashikohet si vepër penale nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, neni 248.
Por, në këtë mori shkeljesh, punonjësit e Tatimeve mbajnë rekordin me 9.9 milionë euro abuzime. Janë 1 miliard e 214 milionë lekë të reja, që i mungojnë arkës së shtetit prej paaftësisë, ose abuzimeve të qëllimshme të tyre. Në totalin e shkeljeve, kjo përbën 71 për qind të dëmit ekonomik.
Shumë më pak se kaq, por përsëri në shifra të larta, konstatohet, gjithnjë vetëm për rastet e evidentuara në disa degë të caktuara, dëmi ekonomik i shkaktuar nga punonjësit e Doganave. Me afro 369 milionë lekë të reja shkelje, që barazohen, të konvertuara, me 3 milionë euro, doganierët mbajnë vendin e dytë për sa i përket dëmit ekonomik, duke zënë 22 për qind të totalit të regjistruar.
Të dy administratat fiskale zënë kështu 93% të dëmit shkaktuar arkës së shtetit shqiptar.
Me 450 mijë euro dëme vijojnë nëpunës të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, të kallëzuar tashmë në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ekipet e KLSH-së, në 107 kontrolle të ushtruara në periudhën 9-mujore, nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, kanë konstatuar parregullsi e shkelje të karakterit financiar, si në të ardhurat, ashtu edhe në shpenzime të kryera nga punonjës të shtetit, në masën e përgjithshme 2 miliardë e 716 milionë e 631 mijë lekë të reja.
Ky dëm ekonomik i përket veprimtarisë së organeve të ndryshme shtetërore, në qendër e në pushtetin vendor, nga viti 2005 deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në vazhdim.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›