E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodikët e Arkivit Shqiptar ekspozohen në Prishtinë

10/06/2011  Kodikët e ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë ekspozohen në Prishtinë. Prezantimi i tyre bëhet në kuadrin e një vizite të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Një delegacion prej 12 zyrtarësh, me në krye drejtoreshën e Arkivit, Nevila Nika, kanë qëndruar për dy ditë (nga 8 qershori deri sot) në Prishtinë, ku kanë vizituar Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me synim shkëmbimin e përvojave profesionale. Në këto takime u nënshkrua edhe protokolli i ri i bashkëpunimit ndërarkivor ndërmjet dy institucioneve.

Koleksioni i kodikëve përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH), përbëhet nga mbi 100 vëllime, vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilët, të gjithë së bashku, njihen si “fondi 888”. Përveç këtyre kodikëve njihen edhe kodikë të tjerë, që i takojnë kishës së Shën Gjon Vladimirit (Durrës), si dhe mund të përmendim edhe kodikët e ndodhur në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Kodikët e Shqipërisë janë një fond me rëndësi botërore për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike dhe hagjiografike (nga gr- "i shenjtë"). Këto kodikë kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (nga shekulli i 6 deri në shekullin e 18). Kodiku i Purpurt i Beratit, për shembull, i shkruar vetëm një shekull e gjysmë pas “La Vulgata”-s, përkthimi latin i Biblës sipas Shën Jeronimit të Eusebit, është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Ekspozita “Kodikët e Shqipërisë”, e pasur me eksponate që nga shek. VI, është prezantuar edhe më parë në disa vende të Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›