E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra: 10 mijë shqiptarë përfitojnë pencion pleqërie në Belgjikë

TIRANË- Shtetasit shqiptarë, që jetojnë në Belgjikë do të kenë përfitime në fushën e sigurimeve shoqërore.

Për realizimin e kësaj mundësie Ministria e Punës po mbyll negociatat me palën belge që rreth 10 mijë shtetas shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë paguar kontribute në të dy vendet, të mund të përfitojnë marrjen e pensionit të pleqërisë, duke e tërhequr atë në vendin që kanë vendosur të jetojnë.

Zv/ministrja e Punës Filloreta Kodra tregoi sot për mediat, se në kuadër të detyrimeve që burojnë nga programi i Qeverisë, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE-Shqiperi dhe Plani i Zbatimit të saj, po intensifikohen përpjekjet për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore.

"Marrëveshja me Mbretërinë e Belgjikës përfshin fushën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore",- tha Kodra duke bërë të ditur se marrëveshja do të nënshkruhet brenda këtij viti, por hyrja në fuqi e saj është e kushtëzuar sipas kushteve të krijuar në secilin vend.

Sipas Kodrës, marrëveshja ndihmon shumë shtetasit shqiptarë dhe belgët, të cilët kanë një periudhë sigurimi në Shqipëri dhe Belgjikë.

"Kjo do të thotë që me t'u lindur e drejta për të marrë pension, atyre u bashkohen të dyja periudhat e sigurimit dhe përfitojnë pension të plotë, gjë që ishte e pamundur pa një marrëveshje të tillë. Edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore, të gjithë shtetasit që punojnë dhe jetojnë në Belgjikë, kanë të njëjtat të drejta si shtetasit belgë",- zv/ministrja e Punës Filloreta Kodra
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›