Të ardhurat në buxhet, qeverisë nuk i dalin llogaritë
Qeverisë duket se nuk po i dalin llogaritë për të ardhurat në buxhet. Hendeku midis parashikimeve dhe realizimit të të ardhurave zgjerohet sa më shumë i afrohemi fundit të vitit. Ekonomia nuk po ecën sipas planeve të bëra në qershor kur u ndryshua buxheti 2011 dhe kjo duket mëse miri në treguesit e të ardhurave për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar apo edhe akcizën, të cilët janë pasqyrat më të mira të ecurisë së konsumit. Nëse vijohet me këto tregues, nuk janë të pakta gjasat që ekzekutivi ti drejtohet edhe njëherë Kuvendit për të bërë rregullime të tjera në buxhetin e vitit 2011.
Ministria e Financave ka publikuar sëfundmi treguesit fiskal të muajit tetor, e cila është pasqyra e veprimtarisë administratës shtetërore në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe shpenzimit të tyre. Të krahasuara me parashikimet e bëra në momentin e miratimit të buxhetit, këto tregues pasqyrojnë saktësisht atë që çka është duke ngjarë në një ekonomi. Ekzekutivi ka parashikuar të mbledhë rreth 344 miliardë lekë në buxhetin e shtetit deri në fund të muajit dhjetor. Të dhënat tregojnë se deri në fund të tetorit janë mbledhur 267.6 miliardë lekë. Pra, për të qenë në rregull me planin, duhet që përgjatë dy muajve të mbetur, në arkën e shtetit të mblidhen edhe 76.5 miliardë lekë. Por sa e realizueshme është kjo? Referuar tabelave, mësohet se të ardhurat në arkë kanë një rritje me mesatarisht 27 deri 28 miliardë lekë nga muaji në muaj. Nëse edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit vijohet me ritmet e dhjetë muajve të mëparshëm në drejtim të realizimit të të ardhurave, në arkën e shtetit do të futeshin 56 miliardë lekë, pra rreth 20 miliardë lekë më pak nga sa duhen për të realizuar planin. Diferenca e mbetur është shumë e madhe për tu përmbushur brenda dy muajve. Megjithatë, shpresa e qeverisë mbetet tek festat e fundvitit, të cilat karakterizohen nga një rritje e konsumit duke rritur rrjedhimisht të ardhurat në buxhet.
Për sa i përket akcizës, qeveria ka parashikuar të mbledhë rreth 41 miliardë lekë përgjatë gjithë vitit. Deri në fund të tetorit janë mbledhur rreth 32.6 miliardë lekë, pra mbeten edhe 8.4 miliardë lekë që të realizohen për dy muaj në mënyrë që ekzekutivi të jetë në rregull me planin. Tabelat tregojnë se arka e shtetit vjel mesatarisht 3 miliardë lekë në muaj nga akcizat. Nëse kjo tendencë do të vijojë, administrata do ta mbyllë vitin me mosrealizim.
Për mallra të tillë si karburantet, rritja e taksave duket se nuk është zgjidhja që bën mrekullinë në rritjen e të ardhurave në buxhet, pasi të dhënat tregojnë se qytetarët i janë përgjigjur rritjes së taksave, rrjedhimisht edhe të çmimeve, me ulje të konsumit. Ja çfarë ka ndodhur me karburantet: Që prej muajit gusht, qeveria vjel një taksë të re mbi karburantet në masën 5 lekë për litër. Kjo taksë parashikohej që të rriste të ardhurat në buxhet, gjë që nuk ndodhi nëse i referohemi treguesve të doganave. Që prej janarit deri në shtator, në Shqipëri janë importuar rreth 310 mijë ton karburante, por kjo shifër paraqitet 14.6 për qind më e vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me karburantet ka ndodhur i njëjti fenomen si me cigaret kur u rrit akciza në janar. Para hyrjes në fuqi të taksës në gusht, kompanitë kanë importuar sasi të mëdha nafte dhe benzinë për ta përdorur si rezervë për një kohë sa më të gjatë.
