Kodra në memorial, kundër amanetit
ǒnuk do të bëhej për Kodrën pas vdekjes... do të bëhej monument varri i tij, do të rregullohej rruga për në Ishëm, do të zbukurohej fshati i lindjes së piktorit... këto ishin fjalët në gjuhën e njerëzve që nderuan piktorin Ibrahim Kodra ndërsa po përcillej për në banesën e fundit.
Pas gjithë asaj ceremonie madhështore që u bë në Milano të Italisë, homazheve në Akademinë Brera dhe predispozita e veçantë e shtetit dhe medias italiane, trupi i tij u nis për në atdhe. Ky qe dhe amaneti i fundit që la me gojë, mjeshtri Kodra tek miqtë e tij të ngushtë, të cilët u habiten pak, pasi ai jo vetëm që s’kish folur kurrë për vdekjen, por kish porositur dhe blerë vendin e prehjes në Milano.
Dje, këshilli i qarkut të Durrësit përfundimisht pas tre vitesh të ndarjes nga jeta të piktorit ka miratuar projektin për ngritjen e një varri dinjitoz, monumental të mjeshtrit. Një vendim i tillë është mundësuar vetëm ditët e fundit, në mbledhjen e KRRT-së së Qarkut, ku miratoi lejen e sheshit dhe atë të ndërtimit të varrit, duke nisur menjëherë punën. Ndonëse në terren të vështirë dhe në shi puna, ndërkohë ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë për të qenë gati memoriali më 7 shkurt, ditën kur piktori u nda nga jeta, në Milano.
Deri këtu duket sikur nderimi për piktorin po shkon në vend. Por kujtojmë se vetëm një vit më parë kuratori i testamentit që ka lënë Ibrahim Kodra pat ngritur zërin se duhet të zbatohen pikë më pikë amanetet e piktorit. Konkretisht Kodra ka lënë me gojë se varri i tij duhej të ishte o në Durrës, o në Tiranë. Prej tre vitesh kjo kërkesë është shpërfillur. Ka më se një vit që kuratori legjitim i testamentit, Fatos Faslliu ka lëshuar kërkesën e prehjes së piktorit në këto dy vende, duke depozituar madje në prokurori “amanetin” e piktorit. Ndonëse duket ide e “çmendur” fakti i kërkesës së zhvarrimit të piktorit për ta vendosur aty ku thuhet në testament, duket se askush nuk e ka dëgjuar. Fakti kokëfortë për ta larguar trupin pa jetë të Kodrës nga Ishmi, vendi i tij i lindjes, ka të bëjë pikërisht me atë çfarë është shkruar si argument në testament, se piktori donte një varrosej në një vend të bukur, si Tirana apo Durrësi.
Më datën 18 shkurt 2006-s, në të nëntat, sipas traditës shqiptare, në Milano, në qytetin e vendbanimit dhe formimit të famës artistike botërore, u hap dhe u lexua testamenti i artistit dhe shqiptarit të madh, Ibrahim Kodra.
Në prezencën e miqve të tij, anëtarëve dhe përfaqësuesve të dy fondacioneve “Ibrahim Kodra” me seli në Zvicër dhe ai shqiptar në Durrës, u lexua testamenti i lënë në ditët e fundit të jetës së tij, me mbishkrimin artistik, që firmoste veprat e tij të artit, Ibrahim Kodra.
Në këtë testament me pak fjalë dhe shumë qartë shkruhej - “se të gjithë pasurinë time materiale shpirtërore ja lë dy Fondacioneve Kulturore “Ibrahim Kodra”, njërit në Zvicër dhe tjetrit në Shqipëri”. Përgjegjësi i zbatimit të këtij testamenti apo thënë ndryshe, kuratori i testamentit, do të ishte Fatos Faslliu, kryetari i shoqatës kulturore Itali-Shqipëri. Ajo që u tha në hapjen e testamentit ishte se shtëpia e mjeshtrit Ibrahim Kodra ishte shkruar të kthehej në “Shtëpi Muze e Mjeshtrit Kodra”. E gjithë vlera e testamentit lënë fondacioneve do të përdorej për hapjen e ekspozitave dhe përhapjen brez pas brezi të famës së Mjeshtrit Kodra, kjo e shënuar tepër e theksuar nga Kodra.
Dje nga këshilli i qarkut të Durrësit nuk ka pasur asnjë koment për testamentin, por thjesht është thënë se po çojnë nderimin në vend.
Kodra prehet në një bregore në fshatin e tij të lindjes Ishëm. Në krah ka kalanë e Skënderbeut dhe përpara një sistem fushash të gjera. Edhe pse ende nuk është përmbushur amaneti i Kodrës, gjë që ka shtyrë dhe ngritjen e varrit të tij, derisa në hamendje se edhe mund të zhvarroset, tanimë projekti është kryer, dhe nuk dihet se si do të reagojë pala legjitime e zbatimit të testamentit.
Varri që ka prezantuar Qarku i Durrësit është një kombinim i mermerit me gurë dekorativë me një sipërfaqeje të gjelbër ku të afërmit, artistët dhe të gjithë simpatizantët e tij mund të kryejnë homazhe në çdo kohë dhe stinë të vitit. Pjesë e kësaj pune është edhe sistemimi i një fragmenti të rrugës që të shpie te varri i piktorit të madh me përmasa ndërkombëtare.