Apelimi; Prokuroria, sot në Apel për padinë e Bashës
Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila hodhi poshtë njoftimin e akuzës dhe fletëthirrjen ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, sot në Apel do ketë një përballje të dytë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe avokatit Zef Nikaj. Përballja bëhet për dy akte procedurale, të cilat konsiderohen të pavlefshme nga ana e avokatit Nikaj, por edhe ministrit Basha, ndërkohë që një vendim i mëparshëm kishte urdhëruar ndërprerjen e hetimeve. Prokuroria e Përgjithshme për të disatën herë ka humbur betejat e zhvilluara për këtë çështje në dy gjykata, Shkallën e Parë dhe Apel, të cilat kanë pranuar kërkesat e ministrit Basha, Armand Telitit e Andi Tomës, duke rrëzuar pretendimet e organit qendror të akuzës. Ndërsa nesër pritet seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Lartë për çështjen “Durrës-Kukës”.