E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, 50 për qind e pagës minimale



Ndihma ekonomike do të arrijë në 50 për qind të pagës minimale gjatë këtij viti, duke arritur standardin e vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se gjatë vitit numri i përfituesve të ndihmës ekonomike është ulur nga 120 mijë, që ka qenë dy vjet më parë, në më pak se 80 mijë gjatë këtij viti, duke mundësuar rritjen e përfitimit për pjesën tjetër.

Gjatë vitit 2009, janë rritur edhe fondet e buxhetit për ndihmën ekonomike. Kështu, sipas ministrisë, në vitin 2008 fondet u rritën me 38%, nga 2.6 në 3.6 miliardë lekë dhe për vitin 2009 qeveria ka parashikuar që fondet të jenë 4.3 miliardë, që në përqindje do të thotë një rritje rreth 60% në dy vitet e fundit. Rritja e ndihmës ekonomike për këtë vit do të jetë 20 për qind, duke mundësuar që për herë të parë ndihma për familjet e mëdha të arrijë në gjysmën e pagës minimale.

“Në fund të mandatit qeverisës, numri i familjeve në nevojë që mbështeten me ndihmë ekonomike, do të arrijë në 85 mijë, nga 93 mijë që janë në skemë aktualisht”, – bëjnë të ditur burime nga Ministria e Punës.

Rritja përfundimtare e ndihmës ekonomike pritet të kryhet gjatë buxhetit shtesë të vitit 2009, që do të jetë edhe buxheti i fundit shtesë i mandatit aktual të qeverisë. Buxheti suplementar pritet që të shtojë mjaftueshëm fondet për të shkuar në mbi 4.5 miliardë lekë të reja për vitin 2009 në total, duke mundësuar edhe rritjen e përfitimit të më shumë se 75 mijë familjeve, që gjenden aktualisht në skemë.

Ministria e Punës ka premtuar se deri në vitin 2012 ndihma ekonomike do të dyfishohet, pasi kjo do të arrihet nëpërmjet heqjes nga skema të të gjithë personave që përfitojnë abuzivisht, si edhe nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të fondit, që në dy vitet e fundit është shtuar me 20 për qind.

E një pjesë e zvogëlimit të përfituesve është arritur. Vetëm gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e fundit të vitit 2008 janë konstatuar raste të moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 2887 familje me një efekt financiar 7 milionë lekë të reja dhe moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 840 raste me një efekt financiar pak më shumë se 7 milionë e gjysmë lekë të reja.

Departament spanjishteje në Universitetin e Tiranës

Departamenti i Gjuhës Spanjolle do të jetë sektori më i ri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës, pas miratimit për çeljen e tij nga senati të hënën, bazuar në një propozim të Këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. “Pas konfirmimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pritet që shumë shpejt të komandohet përgjegjësi për këtë degë nga dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku janë deri tani 6 degë të gjuhëve të huaja", - tha sot për mediat rektori i UT-së, prof. dr. Dhori Kule, gjatë një konference për shtyp së bashku me ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio. Duke falënderuar ambasadorin për kontributin e dhënë në realizimin e departamentit të ri për gjuhën spanjolle, Kule tha: “Këtë vit akademik 40 studentë kanë nisur ta studiojnë gjuhën spanjolle pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe falë kontributit të ambasadorit Montobio, është mundësuar ardhja e dy pedagogëve spanjollë. Ne kemi marrë premtimin e ambasadorit spanjoll për krijimin e mundësive që stafi i ri pedagogjik të realizojë specializime dhe kualifikime në institucione të ndryshme të Spanjës”. Çelja e departamentit të Gjuhës Spanjolle u konsiderua nga ambasadori Montobio si një hap i rëndësishëm, i cili tregon se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës të mos jenë vetëm marrëdhënie të shkëlqyera midis qeverive, por edhe shoqërive. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë në krijimin e departamentit të Gjuhës Spanjolle nga qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Sali Berisha. Sipas Montobios, ky departament do të ketë standarde të larta në përputhje me ato të vendeve të BE-së. Me çeljen e këtij departamenti, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të ofrojë mësimdhënie për shtatë gjuhë (anglisht, italisht, rusisht, turqisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht). Sipas verifikimeve që ka kryer së fundi ky fakultet, vihet re interes në rritje nga të rinjtë për të studiuar gjuhën spanjolle.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›