Workshop për kulturën shpirtërore
Këshilli i Muzikës Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, në kuadër të projektit “Safeguarding the Albanian Folk Iso-Polyphony- a Unesco masterpiece of the Oral and Intangible Heritage of Humanity”, me mbështetjen e UNESCO/Japan Funds-in-Trust për Ruajtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Shpirtërore, do të organizojnë workshop-in: “Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore” më datë 28 janar, ora 10:00, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Në workshop do të marrin pjesë specialistë të fushës, punonjës të institucioneve kulturore të trashëgimisë kulturore në qendër dhe në bazë, studentë dhe të interesuar të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore. Siç dihet, katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re pune për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ligji 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgimisë kulturore”, i ndryshuar parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, kjo krahas listës së monumenteve të kulturës materiale e cila tashmë ekziston prej vitit 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së “Iso-Polifonisë Popullore Shqiptare” si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”-UNESCO e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri Konventës së UNESCO-s “Për trashëgiminë shpirtërore” në vitin 2006, ku parashikohet edhe hedhja e hapave konkrete për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore. Do të përshëndesin workshop-in Elida Petoshati nga Komisioni Kombëtar i UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Akademik Myzafer Korkuti, nga Akademia e Shkencave, Izet Duraku, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore; Prof. Dr. Miaser Dibra, Drejtore e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe e Studimit të Arteve pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Gjatë workshop-it, Prof. Dr. Fatmir Husi nga Akademia e Arteve, Fakulteti i Muzikës do të drejtojë seancën praktike të punës ku do të referojnë Akademik Vasil S. Tole kumtesën -“Konventa e UNESCO-s për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore”; Magjistër Klodian Qafoku & Ma. Armand Zaçeliçi do të referojnë "Dixhitalizimi i arkivit muzikor të Institutit të Antropologjisë Muzikore, sipas standardeve ndërkombëtare, arritje dhe risi" dhe Magjistër; dhe Ilir Parangoni do të prezantojë punën e bërë deri më tani për hatimin e “Database të iso-polifonisë popullore shqiptare”. Për realizimin e këtij workshop-i bashkëpunojnë disa institucione dhe shoqata kulturore si Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Fondacioni “Albanian Heritage”, Seksioni Shqiptar i Cioff-it. Agjencia zbatuese e këtij aktiviteti është Këshilli i Muzikës Shqiptare, anëtar i IMC/UNESCO, ndërsa Agjencia Ekzekutive është Zyra e Venecia-s, UNESCO-Bresce.