Kodrat e Liqenit kthehen në autostradë, makina lëvizin përmes parkut (FOTO)
—-Nga Kliti Topalli—-
Tiranë- Për shkak të ndërtimeve të shumta në kryeqytet, e vetmja hapësirë e gjelbër kanë mbetur Kodrat e Liqenit. Me qindra persona e frekuentojnë këtë zonë për të pushuar dhe për të marrë ajër të pastër, por përveç shqetësimit të qenve dhe biçikletave, një shqetësim i ditëve të fundit janë bërë edhe makinat.
Zakonisht në hyrje të Kodrave të Liqenit qëndron një polic, i cili bën ndalimin e futjes së automjeteve në zonën e parkut, por si duket tani Liqeni është kthyer edhe në një autostradë për ata që nuk kanë kohë të kalojnë përmes qytetit.
Siç shihet edhe nga fotografitë, në trotuarin ku kalojnë frekuentuesit e parkut, kalojnë me dhjetra makina, gjë që nuk duhet të ndodhë në një zonë të tillë.
Në foto shihen zakonisht furgona mallrash, shumica e të cilëve furnizojnë me produkte lokalet përreth, ndërsa kalojnë pa problem postobllokun e policisë dhe nuk merret asnjë masë ndaj tyre.
Nga vëzhgimi i kryer në këtë zonë, në harkun e 15 minutave kanë kalur rreth 10 automjete, mes të cilëve edhe furgona shkollash, por edhe vetura personale. Pavarësisht se në të të gjithë hyrjet e parkut thuhet se ndalohen si automjetet ashtu edhe biçikletat, ky është një rregull që shkelet vazhdimisht. Pavarsisht se gjatë pasditeve policia bashkiake qëndron aty për të monitoruar dhe ndaluar lëvizjet me mjete, ka shumë persona që vijojnë ti përdorn biçikletat pa asnjë problem.
Makinat lëvizin përmes Kodrave të Liqenit
◄ Back
Next ►
Picture 1 of 8