Alban Bushi, goli që s’mjaftoi për të shmangur humbjen

Albania-Sport - Golashënuesi më i mirë i historisë së Kombëtares kuqezi, Alban Bushi, ka arritur të shënojë të dielën në ndeshjen që skuadra e tij, Apolloni i Kallamarjasë, ka zhvilluar në fushën e Panioniosit, por pa mundur të shmangë humbjen e skuadrës së tij në shifrat 1-3. Në fakt, në sfidën e të dielën pasdite, kanë qenë vendasit që kanë kaluar të parët në epërsi, me anë të Lourensos, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 12-të.
Vetëm 6 minuta më vonë, është Bushi ai që barazoi rezultatin për skuadrën mike. Në barazim 1-1 mbyllet edhe pjesa e parë, ndërsa do të rezultojnë fatale 21 minutat e fundit të ndeshjes për skuadrën e Bushit, pasi, fillimisht do të jetë Lourenso ai që do të plotësojë dygolëshin e tij, në minutën e 69-të, ndërsa Aravidis do të vulosë fitoren e vendasve në 3-1, me golin e shënuar 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Skuadra e sulmuesit shqiptar mbete kështu në vendin e 14-të të renditjes, pas 20 javësh kampionat, me 22 pikë, po aq sa Ksanthi i vendit të trembëdhjetë dhe Egaleo e vendit të 12-të, ndërsa Panioniosi ngjitet në vendin e tetë të renditjes, me 25 pikë. Bushi nuk është grumbulluar nga trajneri i Kombëtares kuqezi, Oto Baric, për ndeshjen e së mërkurës kundër Maqedonisë.