E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana, vetëm 1-1 kundër ish-skuadrës të tij, Paris SG-së

Albania-Sport - Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Lorik Cana, është detyruar të kënaqet të dielën në mbrëmje me një barazim 1-1 kundër ish-skuadrës së tij, Paris SG-së, në ndeshjen midis miqve nga Parisi dhe vendasve të Olimpikut, të zhvilluar në Stadiumin "Velodrome" të Marsejës.
Përballja e javës së 23-të, midis dy skuadrave më popullore të Francës, ishte një ballafaqim kryesisht i barazpeshuar, ku të dyja skuadrat synonin të mos humbisnin, qoftë edhe për moral, dhe që u vendos nga episodet. Për vetë natyrën e ngjeshur të lojës, Lorik Cana nuk mundi të shprehte plotësisht potencialin e tij gjatë 90 minutave të lojës.
Pas një pjese të parë të barabartë, janë vendasit që kalojnë të parët në epërsi, kur sulmuesi Zhibril Sise finalizoi me sukses një aksion të Olimpikut, në minutën e 69-të, por parizienët nuk vonuan të kundërpërgjigjeshin dhe gjetën, pas vetëm 6 minutash, golin e barazimit, që mban firmën e portugezit Pauleta.
Kësisoj, Olimpiku i Marsejës ngjitet në kuotën e 37 pikëve, në vendin e katërt të renditjes, ndërsa Paris SG-ja ngjitet në kuotën e 22 pikëve, në vendin e 17-të të renditjes, por shumë pranë zonës së ftohtë të rënies nga kategoria. Të dielën e ardhshme, skuadra e mesfushorit të Kombëtares kuqezi, që të mërkurën do të luajë për Shqipërinë në miqësoren ndaj Maqedonisë, udhëton drejt Bordosë, për t'u ndeshur me skuadrën vendase.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›