Kofi Annan dhe Jimmy Carter të padëshiruar në Zimbabve
Zimbabve ia ka ndaluar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, dhe ish-Presidentit amerikan Jimmy Carter hyrjen në shtetin afrikan dhe përfshirjen në zgjidhjen e krizës politike. "Kemi shpresuar ta vizitojmë Zimbabvenë mëngjesin e sotëm, mirëpo duhet ta anulojmë vizitën tonë, pasi që Qeveria e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të bashkëpunojë", u ka thënë Annan gazetarëve në Johanesburg. Autoritetet e Zimbabvesë kanë refuzuar t'u japin viza dy personaliteteve të njohura botërore, edhe përkundër intervenimit të ish-presidentit të Afrikës së Jugut, Thabo Mbeki, i cili është ndërmjetës në zgjidhjen e krizës politike në Zimbabve.